TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Shkurt 2026, 10:35

Babai punonte në një fabrikë, djali ishte elektriçist; kush ishin 4 anëtarët e familjes shqiptare që humbën jetën në Itali

Shkruar nga Pamfleti
Babai punonte në një fabrikë, djali ishte elektriçist;
Familja e cila u përfshi në tragjedi

Një ngjarje e rëndë u regjistrua në zonën e Luccës në Itali, ku katër anëtarë të një familjeje shqiptare humbën jetën si pasojë e rrjedhjes së gazit në banesën e tyre.

Viktimat janë Arti Kola, 48 vjeç, Jonida Kola, 42 vjeç, si dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar Kola, 22 vjeç, dhe Xhesika Kola, 15 vjeç. Mësohet se familja jetonte prej vitesh në komunën e Porcarit.

Sipas autoriteteve vendore, dyshohet se shkaku i ngjarjes lidhet me monoksidin e karbonit të çliruar nga një kaldajë me defekt. Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e tragjedisë.

Kryetari i Bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari, reagoi publikisht duke shprehur ngushëllimet për humbjen e katër anëtarëve të familjes Kola.

"Mbrëmjen e djeshme, një fatkeqësi e madhe ndodhi në vendin tonë.

Një familje e tërë, familja Kola, me shumë gjasa humbi jetën në shtëpi, dhe hetimet do ta sqarojnë më vonë, për shkak të monoksidit të karbonit që rrjedh nga kazani.

Babai Arti, nëna Jonida me dy fëmijët e tyre, Hajdarin 22 vjeç dhe Xhesikën 15 vjeçe. Jemi të gjithë të mërzitur dhe të trishtuar nga kjo ngjarje tragjike që më kujtoi menjëherë tragjedinë e familjes Malanca, madje edhe atë që ndodhi në shkurt të vitit 1992. Komuniteti ynë, qëndron i bashkuar rreth të afërmve dhe miqve në një përqafim ideal për këtë zi të rëndë që ka prekur Porcarin.

U prehshin në paqe, të gjithë së bashku", thuhet në mesazhin e ngushëllimit.

Arti Kola punonte në një fabrikë lyerjeje, ndërsa bashkëshortja e tij, Jonida Kola, kujdesej për familjen. Djali i tyre, Hajdari, ishte i punësuar si elektriçist në një kompani lokale, ndërsa Xhesika ishte nxënëse.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në komunitetin e Porcarit, ku familja Kola cilësohej nga banorët e zonës si e qetë dhe e përkushtuar ndaj jetës së përditshme.

 

Lini një Përgjigje