TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Shkurt 2026, 11:41

Një histori që përsëritet pas 34 vitesh; Familja shqiptare humb jetën po në të njëjtin qytet nga rrjedhja e gazit

Shkruar nga Pamfleti
Një histori që përsëritet pas 34 vitesh; Familja shqiptare
Një histori që përsëritet pas 34 vitesh; Familja shqiptare humb jetën po në të njëjtin qytet nga rrjedhja e gazit

Një tragjedi e rëndë ka tronditur njëkohësisht Italinë dhe Shqipërinë, pasi katër anëtarë të një familjeje shqiptare humbën jetën në zonën e Luccas, si pasojë e rrjedhjes së gazit nga kaldaja e banesës ku jetonin.

Viktimat janë Arti Kola, Jonida Kola, Hajdar Kola dhe Xhesika Kola, të cilët u gjetën pa shenja jete në momentin kur karabinierët italianë hynë me forcë në banesë, pas sinjalizimeve dhe mungesës së kontaktit me familjen.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta edhe nga autoritetet lokale. Kryetari i bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari, shprehu publikisht dhimbjen dhe tronditjen e komunitetit për këtë humbje të rëndë.

“Jemi të gjithë të shokuar dhe të pikëlluar nga kjo ngjarje tragjike, ka shkruar kryetari i bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili kujtoi në postimin e tij edhe fatkeqësinë e ngjashme të familjes Malanca, që ndodhi gjithashtu po në një muaj shkurt, por të vitit 1992. Komuniteti ynë bashkohet me të afërmit dhe miqtë në një përqafim simbolik për këtë humbje të rëndë që ka goditur qytetin tonë. U prehshin në paqe, të gjithë së bashku”, shkruan kryetari i bashkisë së Porcarit, qyteti ku jetonte familja shqiptare.

Në reagimin e tij, Fornaciari kujtoi edhe një tragjedi të ngjashme që kishte ndodhur në të njëjtën bashki 34 vite më parë. Më 28 shkurt 1992, katër anëtarë të familjes italiane Malanca- Raffaello, bashkëshortja e tij Piera dhe vajzat Ilaria dhe Greta, humbën jetën si pasojë e monoksidit të karbonit të çliruar nga një defekt i kaldajës në banesën e tyre.

Kjo ngjarje e atëhershme ka lënë gjurmë të thella në komunitetin lokal, aq sa në zonë ndodhet një park publik që mban emrin e familjes Malanca, në kujtim të viktimave.

Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të përcaktuar me saktësi shkaqet teknike të rrjedhjes së gazit në banesën e familjes Kola, ndërsa komuniteti shqiptar dhe ai lokal në Itali janë zhytur në zi për humbjen e katër jetëve në rrethana tragjike.

 

Lini një Përgjigje