
27-vjeçari Trazhgim Maçi është arrestuar nga policia pas grabitjes së një taksisti në aksin Tiranë-Elbasan, ngjarje e ndodhur një ditë më parë.
Sipas hetimeve, i riu dyshohet se ka hipur si pasagjer në taksi dhe më pas ka kërcënur shoferin me thikë, duke i marrë një shumë parash dhe një varëse floriri. Ai u lokalizua dhe u arrestua pak orë më vonë në fshatin Qeha, ku ishte fshehur pas krimit.
Policia zbardhi edhe një seri ngjarjesh të tjera kriminale, ku 27-vjeçari dyshohet të jetë autor. Sipas autoriteteve, Maçi ka kryer pesë vjedhje të tjera me dhunë ose nën kërcënimin e armëve gjatë muajit qershor në Tiranë, Fushë Krujë dhe Durrës.
Mes rasteve të dokumentuara janë grabitje në biznese, vjedhje të parave dhe sendeve me vlerë, si dhe sulme ndaj drejtuesve të taksive. Gjatë operacionit janë sekuestruar varësja e vjedhur dhe një telefon celular.
Hetimet vijojnë për të verifikuar përfshirjen e tij në ngjarje të tjera kriminale.
"Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Taksimetri”.
Operacioni, nga Komisariati Nr. 1, në vijim të veprimeve të kryera në lidhje me kanosjen e djeshme, me mjet prerës, të drejtuesit të një taksie, nga pasagjeri, i cili i vodhi paratë dhe varësen.
Autori u kap dje, menjëherë pas krimit, i fshehur në territorin e fshatit Qeha.
Nga hetimet rezultoi se ai është autor edhe i 5 vjedhjeve me armë/dhunë, kryer gjatë muajit qershor, në Tiranë, Krujë dhe Durrës.
Sekuestrohen varësja e vjedhur dhe 1 celular.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, menjëherë pas njoftimit për një vjedhje në një taksi në lëvizje në aksin rrugor “Tiranë-Elbasan”, ku pasagjeri kishte kanosur drejtuesin, me mjet prerës, dhe i kishte marrë një shumë parash dhe varësen që mbante në qafë, u mundësua ndalimi i autorit të dyshuar, shtetasit T. M., 27 vjeç, i cili u lokalizua në fshatin Qeha, në afërsi të zonës ku kishte kryer krimin.
Më tej, në kuadër të operacionit të koduar “Taksimetri”, u kryen hetime të thelluara, me objektiv dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Nga hetimet dyshohet se 27-vjeçari:
-më datë 05.06.2026, në tregun e Fushë Krujës, ka vjedhur një shumë eurosh, në portofolin e një shtetasi;
-më datë 10.06.2026, në një biznes në rrugën “Llazi Miho”, Tiranë, nëpërmjet kanosjes me mjet prerës, ka vjedhur një shumë parash dhe një varëse floriri;
-më datë 12.06.2026, nëpërmjet kanosjes me një send të ngjashëm me armë zjarri, ka vjedhur varësen e floririt që mbante pronari i një subjekti në rrugën “Skënder Kosturi”, Tiranë, dhe e ka goditur me grusht këtë shtetas;
-më datë 15.06.2026, në fshatin Derven, Fushë Krujë, dyshohet se nëpërmjet kanosjes me mjet prerës, i ka vjedhur drejtuesit të një taksie, një shumë parash, 2 celularë dhe 1 orë dore;
-më datë 17.06.2026, në fshatin Shënavlash, Durrës, dyshohet se i ka vjedhur me dhunë drejtuesit të një taksie, portofolin me para, si dhe celularin.
Hetimi vijon për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të shtetasit T. M., në fushën e vjedhjes së pronës/pasurisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje