TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Qershor 2026, 11:28

Në izolim pas sherrit në gjyq, dëshmojnë Bushgjokajt: Na provokoi Petrit Cakri!

Shkruar nga Pamfleti

Në izolim pas sherrit në gjyq, dëshmojnë Bushgjokajt: Na

Në seancën gjyqësore të zhvilluar këtë të premte, vëllezërit Bushgjokaj janë dërguar në izolim pas incidentit të regjistruar në sallën e gjyqit ditën e hënë.

Gjatë seancës së sotme, ata pretenduan se ishin provokuar nga Petrit Cakri, duke argumentuar se ky ishte shkaku i reagimit të tyre. Më pas, vëllezërit i kërkuan ndjesë trupit gjykues dhe prokurorisë për situatën e krijuar.

Në të njëjtën seancë, Bushgjokajt paraqitën edhe një kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë, por gjykata vendosi ta rrëzojë atë.

Si rrjedhojë, masa e sigurisë mbeti në fuqi, ndërsa ndaj tyre u aplikua edhe masa e izolimit pas ngjarjes së ndodhur gjatë procesit gjyqësor.

Mësohet se përplasja e datës 15 qeshor 2026 nisi pak pasi kishte filluar seanca. Kristi Bushgjoka është ngritur në këmbë brenda kafazit të qelqtë dhe, pasi i është drejtuar gjykatës me fjalët “Me leje gjyqtar?”, ka sulmuar me grushte Petrit Hoxhën, i njohur edhe me mbiemrin Çakri. Menjëherë pas tij, në konflikt janë përfshirë edhe vëllezërit Fatjon dhe Aleksandër Bushgjokaj.

Dyshimet paraprake janë se vëllezërit Bushgjokaj e akuzonin Petrit Çakrrin se i kishte spiunuar dhe kishte bërë deklarime të rreme në dëm të tyre. Gjatë incidentit, Çakri dyshohet se është goditur me grushte dhe është përplasur pas murit të kafazit të qelqtë.

Situata shkaktoi tension dhe kaos në sallën e gjyqit, duke detyruar ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të Policisë së Burgjeve dhe stafit të sigurisë së gjykatës. Gjatë përpjekjeve për të ndaluar konfliktin, raportohet se kanë mbetur të lënduar edhe tre efektivë të togës së shoqërimit të të burgosurve.

Ngjarja ndodhi gjatë procesit gjyqësor ndaj Fatjon Bushgjokajt dhe Petrit Çakrrit, të akuzuar për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra. Autoritetet pritet të dokumentojnë incidentin dhe të marrin masat përkatëse ndaj personave të përfshirë në përleshje.

Tre vëllezërit, Fation, Aleksandër, Kristi Bushgjokaj dhe Petrit Hoxha akuzohen për rrëmbimin dhe vrasjen me litar të Renis Dobrës, më 8 korrik të vitit 2025.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Dobra, të cilin pasi e vranë me litar e hodhën bashkë me makinën e tij buzë liqenit të Shkopetit.

Renis Dobra ka qenë i dënuar në Gjermani për shpërndarje të lëndëve narkotike, duke bërë disa muaj burg, nga ku më pas u deportua drejt Tiranës. Konflikti me 3 vëllezërit dhe Petrit Çakrrin dyshohet se ka ardhur pasi Dobra ka tentuar t’i mashtrojë disa herë për sasitë e lëndëve narkotike, detaje që me sa duket u kuptuan nga grupi kriminal.

Lini një Përgjigje