Një i dënuar me burgim të përjetshëm ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në Spitalin Rajonal të Korçës, pasi u dërgua me urgjencë për probleme shëndetësore.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:40 të datës 30 mars 2026, kur Hysni Qamil Repaj, 64 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, është transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore të specializuar.
Sipas informacionit, gjatë një kontrolli të kryer nga mjeku i institucionit, Pajtim Hoxhaj, janë konstatuar rrahje të ulëta të zemrës përmes oksimetrit. Në këto kushte, është vendosur dërgimi i menjëhershëm i të dënuarit në urgjencën e spitalit.
Gjatë ekzaminimeve në Spitalin Rajonal të Korçës, gjendja shëndetësore e Repajt është përkeqësuar, duke kaluar në arrest kardiak respirator. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk ka mundur të rikthehet në jetë.
Hysni Repaj vuante dënimin me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vrasje me dashje në lidhje me një krim tjetër” dhe “Armëmbajtje pa leje”, të parashikuara nga nenet 77 dhe 278 të Kodit Penal. Gjatë vuajtjes së dënimit, ai ishte trajtuar edhe për probleme të shëndetit mendor nga mjeku psikiatër.
Lini një Përgjigje