TAGS-AT E JAVËS

Kronike29 Mars 2026, 17:48

Kërcënoi klientët dhe goditi me qytë pronarin e një lokali, arrestohet 28-vjeçari me dy emra në Kavajë

Shkruar nga Pamfleti
Kërcënoi klientët dhe goditi me qytë pronarin e një
Pamje nga arrestimi i 28-vjeçarit

Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia në Kavajë pas një ngjarjeje të rëndë që përfshiu kërcënim me armë dhe dhunë në një lokal.

Sipas policisë, i riu, i identifikuar si Murat Curri alias Murat Cerriku, hyri i armatosur në një bar-kafe, ku kanosi klientët dhe goditi me qytën e pistoletës pronarin e lokalit.

Pas incidentit, ai u largua me shpejtësi nga vendngjarja me automjet, duke dëmtuar edhe mjete të tjera gjatë tentativës për t’i shpëtuar Policisë.

Policia kapi dhe arrestoi 28-vjeçarin në një hotel në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Gjatë ndjekjes, dyshohet se ai hodhi armën e zjarrit, e cila më pas u gjet dhe u sekuestrua nga Policia si provë materiale.

Nga hetimet paraprake rezulton se pronari i lokalit, një 64-vjeçar, ka pësuar dëmtime të lehta si pasojë e goditjes. Vijojnë hetimet nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.

I riu është person me precedent kriminal në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Gjatë kontrollit u gjet dhe sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, ndërsa në automjetin tip "Range Rover" në përdorim nga 28-vjeçari u gjet krehëri me municion luftarak.

"Kavajë- U fut i armatosur në një lokal, kanosi klientët, goditi me qytën e pistoletës pronarin e lokalit dhe, për t’i shpëtuar Policisë, u largua me shpejtësi me automjet, duke dëmtuar edhe dy automjete të qytetarëve.

Kapet pas disa orësh kërkimesh dhe ndjekjeje nga shërbimet e Policisë.

Pas disa orësh kërkimesh, 28-vjeçari u lokalizua dhe u kap në një hotel te Shkëmbi i Kavajës, nga shërbimet operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë.

Gjatë tentativës për t’u larguar, 28-vjeçari hodhi armën e zjarrit, e cila u gjet gjatë kontrollit në terren dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë morën njoftim, rreth orës 09:40 të ditës së sotme, se një shtetas i armatosur kishte hyrë në një bar-kafe në lagjen nr. 2, në qytetin e Kavajës, ku kishte kanosur klientët dhe kishte goditur me qytën e pistoletës pronarin e lokalit.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në adresën e dhënë, por shtetasi i armatosur, për t’i shpëtuar Policisë, ishte larguar me shpejtësi me automjet dhe, gjatë largimit, kishte dëmtuar edhe një automjet të parkuar.Shërbimet e Policisë u vunë në ndjekje, duke koordinuar veprimet me Forcat Operacionale të DVP Durrës.

Gjatë ndjekjes, si pasojë e shpejtësisë së lartë, shtetasi i armatosur humbi kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe u përplas me trafikndarësen dhe me një automjet tjetër.

Më pas, ai braktisi automjetin dhe u largua nga vendi i aksidentit.

Shërbime të shumta të Policisë vijuan kontrollet në zonë

Pas disa orësh kërkimesh, duke përdorur dhe metodat speciale të hetimit, Forcat Operacionale të DVP Durrës bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit M. C., alias M. C., 28 vjeç, banues në Kavajë, person me precedent kriminal në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.

Gjatë kontrollit të territorit, u gjet në një kanal dhe u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, dhe gjatë kontrollit në automjetin tip Range Rover në përdorim nga 28 vjeçari u gjet krehëri me municion luftarak.

Nga hetimet paraprake rezulton se 28-vjeçari ka kanosur dy klientë të lokalit dhe ka goditur në kokë, me qytën e pistoletës, pronarin e lokalit, shtetasin S. V., 64 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti", njoftoi policia.

Lini një Përgjigje