Detaje të reja kanë dalë në pah lidhur me vrasjen e një të miture shqiptare në Itali, ku autor rezulton ish-i dashuri i saj.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 tetor 2024 në Piacenza, ku 13-vjeçarja Aurora Tila humbi jetën pasi u shty nga ballkoni. Sipas mediave italiane, në procesin gjyqësor janë përdorur edhe bisedat që e mitura kishte zhvilluar me inteligjencën artificiale ChatGPT, të cilat u konsideruan prova me rëndësi.
Në këto komunikime, vajza kishte kërkuar këshilla për marrëdhënien e saj, duke shprehur pasiguri nëse duhej ta përfundonte dhe si mund të dallonte një lidhje të shëndetshme nga një marrëdhënie toksike.
Gjykata e të Miturve në Bolonjë vendosi dënimin me 17 vite burg për ish-të dashurin e saj, i cili në momentin e ngjarjes ishte 15 vjeç. Hetimet zbuluan se marrëdhënia mes tyre karakterizohej nga presion, kontroll dhe sjellje kërcënuese nga ana e tij, duke e bërë të miturën të ndihej e pasigurt.
Sipas vendimit të gjykatës, i riu shfaqte xhelozi të theksuar dhe sjellje posesive, duke përdorur edhe shprehje kërcënuese. Edhe pse paramendimi nuk u provua plotësisht, rezultoi se një ditë para ngjarjes ai i kishte rrëfyer një shoku se kishte në mendje ta vriste.
Mesazhet që ai i kishte dërguar viktimës për takimin e fundit u cilësuan si manipuluese, pasi e bindën atë të takohej, me gjasë me qëllimin për të qetësuar situatën. Megjithatë, sipas gjykatës, takimi ishte përdorur si moment për realizimin e krimit.
Fillimisht, i akuzuari u përpoq ta paraqiste ngjarjen si aksident apo vetëvrasje, por provat dhe dëshmitë e mbledhura e hodhën poshtë këtë version, duke e identifikuar atë si autor të vrasjes. Gjykata vuri në dukje gjithashtu mungesën e pendesës nga ana e tij.
Lini një Përgjigje