Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në zonën e Lungomares në Vlorë, ku pronari i një lokali është dhunuar nga tre persona të paidentifikuar.
Sipas të dhënave paraprake, raportohet se pronari i një bar-restoranti është sulmuar fizikisht nga tre persona, duke pësuar dëmtime fizike. Ai është trasportuar menjëherë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Sherri ka ndodhur në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, e njohur për praninë e lartë të qytetarëve dhe turistëve, çka ka shkaktuar panik te të pranishmit. Familjarët e të plagosurit dhe qytetarët e pranishëm kanë njoftuar menjëherë Policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje.
Bëhet me dije se, pas sulmit autorët janë larguar ndërsa forcat e rendit po punojnë për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur sekuestrimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë dhe në ambientet e lokalit, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Lini një Përgjigje