TAGS-AT E JAVËS

Kronike25 Korrik 2023, 19:20

GJKKO e la në burgim të përjetshëm, zbardhen 6 akuzat që 'fundosën' Redjan Rrajën

Shkruar nga Pamfleti

GJKKO e la në burgim të përjetshëm, zbardhen 6 akuzat

Redjan Rraja është dënuar sot nga GJKKO me burgim të përjetshëm, ndërsa akuzohet si një nga ekzekutorët e atentatit ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku dhe u plagos Landi Muharremi.

Sipas njoftimit të GJKKO, Rraja akuzohet për 6 vepra të rënda penale.

Në njoftim gjykata sqaron të gjashtë akuzat, për të cilat ai ka marrë dënimin nga 4 vite burg deri në 35 vjet burg. Ndërsa si i përfshirë në atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, Rraja është dënuar me burgim të përjetshëm.

Për Redjan Rrajën gjykata thotë se ka aplikuar nenin 55 paragrafi i parë i Kodit Penal, për bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Redjan Rraja me burgim të përjetshëm.

Sakaq, bëhet me dije se dënimin, i pandehuri Redjan Rraja, do ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë.

Akuzat për Redjan Rrajën

1.Deklarimin fajtor të të pandehurit Redjan Rraja për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 134, paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.

1.1 Deklarimin fajtor të të pandehurit Redjan Rraja për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278, paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.

1.2 Deklarimin fajtor të të pandehurit Redjan Rraja për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i tretë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) vjet burgim.

1.3 Deklarimin fajtor të të pandehurit Redjan Rraja për veprën penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të viktimës Arjan Ndoja, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/a e 22, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 35 (tridhjetë e pesë) vjet burgim.

1.4 Deklarimin fajtor të të pandehurit Redjan Rraja për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë në dëm të viktimës Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79, shkronja “dh”, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

1.5 Deklarimin fajtor të të pandehurit Redjan Rraja për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.

1.6 Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Redjan Rraja me burgim të përjetshëm.

1.7 Në mbështetje të nenit 15, 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri Redjan Rraja, ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë.

redjan rraja akuza gjkko burgim te perjetshem

Lini një Përgjigje