Ngjarja e rëndë në Korçë ku nënë e bijë janë gjetur pa shenja jete në banesë ka tronditur opinionin ndërsa tashmë po dalin edhe dëshmitë nga fqinjët e tyre.
Njëra prej banoreve të tjera të pallatit tregon se ka qenë personi i fundit që ka folur me 54-vjeçaren që ka humbur jetën.
Ajo shprehet se kanë kontaktuar të shtunën dhe se viktima e kishte njoftuar se mamanë e kishte shtruar në spital pasi kishte probleme me frymëmarrjen.
“Me Ornelën kam komunikuar të shtunën, ajo më tha që kishte shtruar nënën e saj në spital sepse kishte vështirësi në frymëmarrje.
Ornela më kërkoi të shihja nëse e kishte mbyllur derën e banesës së saj apo e kishte lënë hapur.
Unë shkova kontrollova derën e shtëpisë së saj dhe i thashë që derën e ke të mbyllur”, ka treguar ajo.
Fqinja shprehet se gjatë këtyre ditëve ajo ka trokitur vazhdimisht në derën e tyre por nuk ka marrë përgjigje. Madje ka treguar se kanë ardhur edhe kolegët e 54-vjeçares.
“Gjatë këtyre ditëve kur kam dalë nga shtëpia kam trokitur tek dera e Ornelës por nuk më është përgjigjur njeri edhe pse kur kam parë derën nga afër më është dukur sikur brenda kishte çelës.
U shqetësova sepse me Ornelën nuk po kontaktoja më.
Ornela ishte edukatore në Vithkuq, dhe sot erdhën kolegët e punës për ta kërkuar, trokitën edhe ata por dera nuk u hap.
Unë mora në telefon edhe mbesën e tyre por as ajo nuk dinte gjë”, ka treguar fqinja.
Dy gratë janë gjetur sot pa shenja jete në banesë nga djali i të moshuarës i cili është kthyer nga Greqia pasi prej ditësh nuk kishte kontakt me to.
Pasi nuk ka marrë përgjigje ai ka njoftuar policinë dhe zjarrëfikësit.
Lini një Përgjigje