TAGS-AT E JAVËS

Kronike 2 Prill 2026, 18:42

E rëndë në Himarë, 35-vjeçari merr peng prindërit nën kërcënimin e thikës; policia ndërhyn në kohë

Shkruar nga Pamfleti
E rëndë në Himarë, 35-vjeçari merr peng
Foto ilustruese

Një ngjarje e rëndë familjare është parandaluar nga blutë e Himarës. Një 35-vjeçar ka mbajtur peng prindërit e tij në banesë, nën kërcënimin e një mjeti prerës.

Bëhet fjalë për shtetasin Spiro Dhimaleksi, i cili në gjendje të rënduar psikologjike, kishte izoluar në një dhomë prindërit e tij, përkatësisht 60 dhe 65 vjeç, duke i kërcënuar me thikë se do t’i vriste.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur negociatat me 35-vjeçarin.

Pas më shumë se një ore negociatash intensive, një efektiv i policisë, banor i zonës, ka arritur të komunikojë drejtpërdrejt me autorin, duke ndikuar në uljen e tensionit. Në momentin e ndërhyrjes, 35-vjeçari ka tentuar të dëmtojë veten me mjetin prerës, duke shkaktuar plagë në zonën e barkut.

Punonjësit e policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke e neutralizuar dhe duke i hequr mjetin prerës, çka bëri të mundur shpëtimin e dy prindërve pa lëndime.

Më pas, 35-vjeçari është shoqëruar fillimisht në Komisariatin e Policisë Himarë dhe më tej në Vlorë, ku ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin rajonal, si dhe është referuar për trajtim në shërbimet psikiatrike.

Ndërkohë, prindërit e tij janë marrë në pyetje nga autoritetet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.

Lini një Përgjigje