Policia e Korçës ka shoqëruar disa persona në kuadër të hetimeve për vrasjen e 78-vjeçarit në fshatin Bulgarec, disa kilometra larg qytetit të Korçës.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, ekzistojnë dyshime se autori i krimit ka pasur njohje me viktimën. Ky element dyshohet se mund të ketë lehtësuar hyrjen në banesë pa shenja dhune apo rezistence.
Pas kryerjes së krimit, autori dyshohet se është larguar nga vendngjarja duke mbyllur derën e jashtme me çelës, çka ka vështirësuar zbulimin e menjëhershëm të ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake, një familjar ka hyrë në banesë nga dritarja, duke hapur më pas derën nga brenda për efektivët e policisë.
Bëhet me dije se viktima është gjetur me dy dëmtime në kokë, të cilat dyshohet se i kanë shkaktuar vdekjen. Shkaku përfundimtar pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.
“Mëngjesin e sotëm, në fshatin Bulgarec, Korçë, është gjetur pa shenja jete, në banesën e tij, ku jetonte vetëm, shtetasi G.(M). V., rreth 78 vjeç. Trupi i pajetë është dërguar për ekspertizë mjekoligjore, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.", njoftoi sot policia.
Lini një Përgjigje