
Trupi i një të moshuari është gjetur i pajetë ditën e sotme në Korçë. Dyshohet se 78-vjeçari është goditur me send të fortë.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në Korçë. Mësohet se 78-vjeçari Gëzim Vija është gjetur i pajetë në banesën e tij në fshatin Bulgarec.
Sipas burimeve policore, i moshuari është konstatuar pa shenja jete brenda shtëpisë, ndërsa rrethanat e vdekjes mbeten ende të paqarta. Forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet, duke mbledhur prova dhe dëshmi për të zbardhur shkakun e vdekjes.
Dyshohet se 78-vjeçari ka pasur shenja dhune në trup, të cilat mund të kenë çuar në humbjen e jetës së tij. Grupi hetimor ka nisur menjëherë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, pasi nuk përjashtohet mundësia që bëhet fjalë për një krim.
Sipas policisë, dyshohet për një grabitje të mundshme, pasi përveç dëmtimit të dritares, në banesë mungonin një shumë parash dhe disa orendi.
Sipas dyshimeve paraprake, i moshuari mund të jetë goditur me një send të fortë, duke qenë se në trupin e tij janë konstatuar plagë.
Aktualisht po kryhet këqyrja fillestare në vendngjarje, ndërsa një ekspertizë më e detajuar pritet të realizohet në morgun e spitalit të Korçës nga specialistët përkatës. Rrethanat mbeten ende të paqarta, ndërkohë që policia vijon hetimet në terren për të përcaktuar shkaqet dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.

"Mëngjesin e sotëm, në fshatin Bulgarec, Korçë, është gjetur pa shenja jete, në banesën e tij, ku jetonte vetëm, shtetasi G.(M). V., rreth 78 vjeç. Trupi i pajetë është dërguar për ekspertizë mjekoligjore, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje