
Një 32-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Tiranë, pasi më shumë se dy muaj më parë tentoi të vriste një 21-vjeçar në Shkodër.
Sipas policisë, i arrestuar është shtetasi E. K., 32 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër.
Ai dyshohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” mbetur në tentativë, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.
32-vjeçari akuzohet se më 16 janar 2026, në zonën e quajtur “Kryqëzimi i Vinotekës” në Shkodër, tentoi të vriste me armë zjarri A. M., 21 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Gjatë operacionit u arrestua edhe E. K., 27 vjeç, banues në të njëjtin fshat, i cili drejtonte automjetin tip “Audi” me të cilin lëvizte 32-vjeçari në zonën e “Freskut” në Tiranë. 27-vjeçari akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit”.
"Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale një tjetër fazë e operacionit kombëtar, të koduar “Operacionalja”, për kapjen e shtetasve në kërkim, me rrezikshmëri të lartë. Tentoi të vriste me armë zjarri në Shkodër një 21-vjeçar, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Në pranga edhe drejtuesi i automjetit me të cilin lëvizte në zonën e “Freskut” i kërkuari. Sekuestrohet automjeti tip “Audi”.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës mbi vendndodhjen e një shtetasi me precedent për krime kundër personit dhe armëmbajtje pa leje, si dhe i veprimeve operacionale të kryera nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjatë operacionit të koduar “Operacionalja 89”, u ndalua në Tiranë shtetasi E. K., 32 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër.
Prokuroria e Shkodrës kishte lëshuar urdhër për ndalimin e tij, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
32-vjeçari akuzohet se më datë 16.01.2026, në zonën e quajtur “Kryqëzimi i Vinotekës”, Shkodër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. M., 21 vjeç. Po gjatë operacionit u arrestua dhe shtetasi E. K., 27 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër.
27-vjeçari u arrestua për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi drejtonte automjetin me të cilin lëvizte në zonën e “Freskut” Tiranë, 32-vjeçari që ishte në kërkim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje