TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Prill 2026, 11:33

Dhunuan dhe kanosën me armë një 35-vjeçar, arrestohen 3 persona në Vlorë (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Dhunuan dhe kanosën me armë një 35-vjeçar, arrestohen 3
Policia

Tre shtetas janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Vlorës, pasi dyshohet se kanë kanosur me armë dhe dhunuar një 35-vjeçar, duke tentuar ta nxjerrin me forcë nga automjeti i tij.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur në lagjen “Hajro Çakërri”, ku shërbimet e policisë ndërhynë menjëherë pas marrjes së informacionit për incidentin. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi i tre të dyshuarve: Xh. I., 31 vjeç, K. H., 34 vjeç dhe M. Z., 20 vjeç, të gjithë banues në Vlorë.

Nga hetimet paraprake rezulton se tre të rinjtë kanë kanosur me një pistoletë sportive shtetasin L. S., 35 vjeç, për motive që policia i cilëson si të dobëta. Në momentin e ngjarjes, viktima ndodhej brenda automjetit të tij, ndërsa autorët dyshohet se kanë tentuar ta nxjerrin me forcë, duke e goditur me grushte dhe me tytën e armës.

I dëmtuari është transportuar në spital, ku po merr trajtim mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një automjet në pronësi të babait të njërit prej të arrestuarve, policia gjeti të fshehur pistoletën sportive që dyshohet se është përdorur në ngjarje. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma, si dhe dy automjete: njëri që dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe tjetri ku u gjet arma.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj të arrestuarve rëndojnë akuzat për “Kanosje”, “Plagosje të rëndë me dashje” të kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”.

 

 

 

vlore arrestime dhuna

Lini një Përgjigje