TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Prill 2026, 11:27

Antimafia godet rrjetin shqiptar të drogës në Itali, arrestohen 28 persona nga Milano në Bolzano

Shkruar nga Pamfleti

Antimafia godet rrjetin shqiptar të drogës në Itali, arrestohen

Që prej orëve të para të së martës (14 prill), në Itali po zhvillohet operacioni i koduar “Daku”, në kuadër të të cilit janë ekzekutuar 28 masa paraprake nga Policia e Shtetit në disa provinca, ku shumica e të ndaluarve janë shtetas shqiptarë.

Operacioni është koordinuar nga Antimafia dhe strukturat operacionale të Trentos, me përfshirjen edhe të Seksionit Hetimor të Shërbimit Qendror të Operacioneve në Trieste. Aksioni është fokusuar në goditjen e një rrjeti të trafikut të drogës që vepronte në provincën e Bolzanos.

Sipas të dhënave, grupi ishte i angazhuar në trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, ndërsa operacioni vijon ende dhe pritet të dalin detaje të tjera.

Emërtimi “Daku” lidhet me nofkën apo pseudonimin që, sipas hetimeve, përdorej shpesh nga të dyshuarit shqiptarë për t’iu referuar njëri-tjetrit.

Masat ndaj 28 personave po zbatohen nga hetuesit e Skuadrës Fluturuese të Bolzanos, në bashkëpunim me forcat policore nga Belluno, Trento, Venecia, Verona dhe Vicenza, si dhe njësitë SISCO nga Brescia, Trento, Trieste dhe Venecia. Në operacion janë përfshirë gjithashtu Shërbimi Qendror i Operacioneve, njësitë e parandalimit të krimit nga Milano dhe njësitë e qenve nga Ankona, Milano dhe Padova.

Sipas mediave italiane, 10 prej të dyshuarve janë vendosur në burg, 8 të tjerë në arrest shtëpie, ndërsa për 10 persona është caktuar masa e qëndrimit në banesë.

Operacioni ka prekur edhe provinca të tjera, përfshirë Barletta-Andria-Trani, Brescia, Monza Brianza, Pordenone dhe Sondrio.

Lini një Përgjigje