Një grup i organizuar që dyshohet se merrej me shitjen e kokainës në qytetin e Dimalit është goditur pas një hetimi disa mujor, ndërsa tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas të dhënave, në pranga kanë rënë shtetasit M. M., 22 vjeç, dhe A. B., 19 vjeç, për të cilët gjykata ka caktuar masën “arrest në burg”, si dhe E. M., 17 vjeç, ndaj të cilit është vendosur “arrest në shtëpi”.
Të tre janë banues në Kuçovë dhe akuzohen për “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur edhe dy persona të tjerë të dyshuar si pjesë e grupit, shtetasit K. A., 26 vjeç, dhe A. B., 22 vjeç, për të cilët është caktuar masa “arrest në burg”.
Hetimet kanë zbuluar se këta të rinj, të organizuar si grup, siguronin lëndë narkotike kokainë, e ndanin në doza dhe më pas e shpërndanin për shitje në zonën e Dimalit.
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Dimali 3”, për goditjen e një grupi kriminal që shiste lëndë narkotike kokainë, në Dimal.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit. Arrestohen 3 pjesëtarë të grupit dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Si rezultat i hetimit të ndjekur për disa muaj, me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë, me objektiv nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të disa shtetasve, të cilët, të organizuar si grup, shitnin doza të lëndës narkotike kokainë në Dimal, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin “Dimali 3”.
Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutuan masat e sigurisë të caktuara nga Gjykata e Beratit, konkretisht:
“Arrest në burg” për shtetasit M. M., 22 vjeç, dhe A. B., 19 vjeç;
“Arrest në shtëpi” për shtetasin E. M., 17 vjeç, të tre banues në Kuçovë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim 2 pjesëtarë të tjerë të këtij grupi, shtetasit K. A., 26 vjeç, dhe A. B., 22 vjeç, pasi ndaj tyre janë caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Gjatë periudhës hetimore janë siguruar prova se këta shtetas, të organizuar si grup, siguronin lëndë narkotike kokainë e ndanin në doza dhe më pas e shitnin në qytetin e Dimalit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.", njofton policia.
Lini një Përgjigje