TAGS-AT E JAVËS

Kronike13 Prill 2026, 18:45

Në kërkim për rrëmbimin e biznesmenit në Tiranë, dorëzohet në polici Jurgen Neza

Shkruar nga Pamfleti

Në kërkim për rrëmbimin e biznesmenit në Tiranë,

Jurgen Neza, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në rrëmbimin e një biznesmeni në Tiranë, është dorëzuar në polici.

Bëhet me dije se dorëzimi i tij vjen pas arrestimit të dy të rinjve, Hysen dhe Kevin Neza, të cilët dyshohet se janë autorët kryesorë të pengmarrjes së ndodhur në kryeqytet.

Sipas të dhënave paraprake, tre të rinjtë dyshohet se kanë bashkëpunuar në realizimin e rrëmbimit të biznesmenit, ndërsa roli i secilit prej tyre pritet të sqarohet në vijim të hetimeve.

Operacioni policor çoi fillimisht në arrestimin e Hysen dhe Kevin Nezës, ndërsa Jurgen Neza ishte shpallur në kërkim deri në momentin e dorëzimit të tij.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete të secilit prej të dyshuarve.

Si ndodhi ngjarja?

Një biznesmen në fushën e ndërtimit është marrë peng dhe dhunuar nga dy vëllezër dhe kushëriri i tyre me qëllim marrjen e një shume prej 1 milion eurosh prej tij.

Bëhet fjalë për dy vëllezërit Kevin dhe Hysen Neza të cilët në bashkëpunim me Jurgen Neza, më 31 mars të këtij viti morën peng për disa orë Florjan Sulën, biznesmen në fushën e ndërtimit.

Ngjarja ndodhi pranë zonës së ish-parkut në kryeqytet ku vëllezërit Neza sëbashku me kushëririn e tyre i janë prezantuar 32-vjeçarit Florjan Sula si agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe e kanë detyruar të futet në automjet. Sula prej kohësh mbahej nën vëzhgim nga autorët të cilët i kishin monitoruar lëvizjet e biznesmenit deri në momentin e rrëmbimit.

Pasi morën me forcë 32-vjeçarin, autorët e kanë mbajtur në një ambient në Xhafzotaj ku e kanë kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij pasi i kanë kërkuar shumën prej 1 milion eurosh. Sipas burimeve nga grupi hetimor, biznesmeni Sula ka refuzuar dhe ka deklaruar se nuk disponon një shumë të tillë. Nën presion, autorët kanë zbritur kërkesën në 500 mijë euro dhe e kanë liruar me qëllim që ky i fundit të siguronte shumën.

Menjëherë pas lirimit, biznesmeni ka denoncuar ngjarjen, policia ka identifikuar autorët nga kamerat e sigurisë përgjatë zonave ku kanë kaluar pasi gjatë gjithë kohës kanë qenë të maskuar dhe të veshur me të zeza.

Në prangat e policisë kanë rënë Hysen Neza 33 vjeç dhe Kevin Neza 25 vjeç ndërsa në kërkim është shpallur Jurgen Neza 28 vjeç. Policia ka sekuestruan 5 automjete, 5 celularë, një shumë parash si dhe sende të kundërligjshme.

Lini një Përgjigje