TAGS-AT E JAVËS

Kronike13 Prill 2026, 17:22

Përgjimet/ Lidhjet e Rezart Kuçit me grupin e Hajrullës, Matodashaj paguante Sky ECC për oficerin e policisë

Shkruar nga Pamfleti
Përgjimet/ Lidhjet e Rezart Kuçit me grupin e Hajrullës,
Rezart Kuçi

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur detaje të reja nga hetimet ndaj oficerit të Policisë së Shtetit, Rezart Kuçi, i dyshuar për lidhje me elementë të krimit të organizuar dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme.

Sipas dosjes hetimore, tarifa për përdorimin e aplikacionit të enkriptuar Sky ECC nga Kuçi është paguar nga shtetasi Ervis Matodashaj, aktualisht i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit kundër grupit kriminal të Inez Hajrullës.

Në komunikimet e siguruara nga hetuesit, evidentohet ndërhyrja e Kuçit për rinovimin e shërbimit të koduar. “Fol icik me atë të Sky se më mbyllet sot”, i drejtohet ai Matodashajt, i cili më pas kontakton një person të regjistruar si “Servisi” për të realizuar pagesën. “O vlla më bëj një ofertë 6 mujore…”, shkruan Matodashaj, ndërsa përgjigjja vjen: “5 minuta është gati”.

Nga hetimet rezulton se Matodashaj ka kryer një pagesë prej 1200 eurosh për rimbushjen e llogarisë së Kuçit në këtë platformë komunikimi, e përdorur për shkëmbime të fshehta mes personave të përfshirë në aktivitete kriminale.

SPAK thekson se Kuçi, në cilësinë e oficerit të policisë dhe drejtuesit në sektorin e krimeve, ka krijuar marrëdhënie të qëndrueshme bashkëpunimi me persona të përfshirë në krim të organizuar. Sipas akuzës, ai ka përfituar pagesa dhe ka përdorur mjetet e enkriptuara për të shkëmbyer informacione sensitive, duke kompromentuar funksionin e tij zyrtar.

Në dosje përmenden gjithashtu implikime të tij në dhënie informacioni kundrejt përfitimeve, si dhe dyshime për përfshirje në episode të trafikimit të narkotikëve.

Biseda mes tyre:

Rezart Kuçi: Fol icik me atë të sky se më mbyllet sot

Ervis Matodashaj: Po i shkruajta

Dhe Matodashaj i dërgon mesazhin që i ka nisur një kontakti të regjistruar me emrin

Servisi: O vlla më bëj një ofertë 6 mujore të të nis lekët me fugon se jam në Vlorë

Servisi: 5 minuta është gati

Lini një Përgjigje