Tensioni arriti kulmin kur deputeti e quajti ministrin "maskara", çka solli përjashtimin e tij nga seanca.
Përplasja e fortë në Kuvend mes ministrit të Financave, Petrit Malaj, dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka shkaktuar reagime të ashpra edhe jashtë sallës së Parlamentit. Gazetari Klodian Tomorri e cilësoi sjelljen e ministrit si një nga ngjarjet më të rënda që janë parë ndonjëherë në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas Tomorrit, fakti që ministri i Financave i tundte nga foltorja një fletë me të dhëna për kompanitë e Shehajt dhe familjarëve të tij, duke i thënë "je marrë ti me ne, do merremi edhe ne me ty", përbën një akt të pastër shantazhi politik dhe abuzim me pushtetin.
"Nëse ministri ka dijeni për shkelje ligjore apo interesa të paligjshme të një deputeti, ai ka detyrimin t'i referojë institucionet ligjzbatuese dhe jo të përdorë informacionet e shtetit si armë për larje hesapesh politike", argumenton gazetari.
Tomorri ngre pyetjen se çfarë mesazhi jep një ministër kur nga foltorja e Kuvendit kërcënon publikisht një deputet me dosje, lista kompanish dhe informacione që burojnë nga administrata shtetërore. Sipas tij, nëse një sjellje e tillë normalizohet, atëherë kufiri mes shtetit dhe bandës politike zhduket.
"Po nëse deputeti nuk ka bërë asnjë shkelje, atëherë ngjarja bëhet edhe më e rëndë. Nuk mund të kthehet qeveria në një grup shantazhuesish që përdor informacionet e shtetit për të mbyllur gojën e kundërshtarëve", shkruan Tomorri.
Debati shpërtheu gjatë interpelancës së kërkuar nga Agron Shehaj për çështjen e faljes së gjobës ndaj Bankers Petroleum. Në vend të përgjigjeve për çështjen e ngritur, ministri Malaj zgjodhi të sulmonte Shehajn me pyetje mbi kompaninë IDS dhe aktivitetet e tij në biznes.
Shehaj iu kundërpërgjigj duke deklaruar se kompanitë e tij janë të deklaruara publikisht dhe duke akuzuar ministrin se po përdor administratën shtetërore për të mbledhur informacion kundër kundërshtarëve politikë. Tensioni arriti kulmin kur deputeti e quajti ministrin "maskara", çka solli përjashtimin e tij nga seanca.
Lini një Përgjigje