
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq 6 persona, për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë në kalim të paligjshëm të kufijve, në kuadër të një skeme që synonte drejtimin e shqiptarëve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt pagesës 35,000 euro.
Të pandehurit janë: H.M., L.M., A.P., C.N., A.M. dhe E.N. Hetimet kanë treguar se H.M., i hetuar më parë për aktivitete të ngjashme, ka organizuar kalimin e disa shtetasve shqiptarë përmes Karaibeve dhe Porto Rikos, duke përdorur dokumente të falsifikuara për të arritur në SHBA dhe Kanada.
Sipas prokurorisë:
H.M. dyshohet se ka falsifikuar dokumente dhe ka ndihmuar në kalimin e paligjshëm të kufijve, duke përdorur edhe dy numra telefonikë nga paraburgimi për të komunikuar me bashkëpunëtorët e tij.
L.M., bashkëshortja e tij, ka marrë pjesë në udhëtimet dhe organizimin e procesit, duke përfshirë edhe vëllain e saj, A.P., në menaxhimin e porosive të udhëtimit.
E.N., punonjës i një agjencie turistike, ka ndihmuar duke vënë në dispozicion foto të dokumenteve të huaj për prodhimin e dokumenteve false.
C.N., shofer automjeti, ka transportuar dokumente të falsifikuara.
A.M. ka dhënë pasaportën e tij britanike si model për prodhimin e dokumenteve të tjera për kalime të paligjshme.
Prokuroria tha se të pandehurit do të gjykohen për veprat penale të “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikim i dokumentit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, si dhe për “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, në rastin e H.M.
Materialet janë dërguar pranë gjykatës për veprime të mëtejshme ligjore.
Lini një Përgjigje