
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka përjashtuar çdo pritshmëri për një përmirësim real të marrëdhënieve ekonomike mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në një deklaratë të publikuar sot nga BRICS TV, një media me bazë në Rusi, Lavrov tha se Moska mbetet formalisht e hapur për bashkëpunim me Uashingtonin, por theksoi se nuk ekzistojnë kushte reale për ndërtimin e një partneriteti ekonomik.
Sipas tij, politika amerikane mbështetet në një qëllim të shpallur për “dominim ekonomik”, i cili pengon çdo marrëdhënie të qëndrueshme.
“Ne nuk shohim ndonjë të ardhme të ndritur në sferën ekonomike”, deklaroi Lavrov, duke iu referuar drejtpërdrejt marrëdhënieve me SHBA-në.
Këto deklarata bien ndesh me qëndrime të tjera brenda establishmentit rus. I dërguari presidencial Kirill Dmitriev ka folur më herët për perspektiva të një rivendosjeje të gjerë të marrëdhënieve ekonomike me Shtetet e Bashkuara, si pjesë e një zgjidhjeje përfundimtare paqësore të konfliktit në Ukrainë.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar publikisht se synon një ringjallje të marrëdhënieve ekonomike me Moskën dhe ka shprehur gatishmërinë për të pritur presidentin rus Vladimir Putin në Shtetet e Bashkuara pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Paralelisht me këto deklarata, administrata amerikane ka miratuar sanksione të reja dhe të ashpra ndaj sektorit energjetik rus.
Lavrov komentoi gjithashtu qëndrimin kritik të Uashingtonit ndaj bllokut BRICS, ku bëjnë pjesë Rusia, Kina, India, Brazili dhe vende të tjera me ekonomi në zhvillim. Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara për krijimin e pengesave artificiale ndaj këtij formati bashkëpunimi.
“Vetë amerikanët po ndërtojnë barriera artificiale në këtë rrugë”, tha Lavrov.
Sipas ministrit të Jashtëm rus, këto kushte e detyrojnë Moskën të kërkojë alternativa të tjera. Ai deklaroi se Rusia po orienton bashkëpunimin financiar, ekonomik dhe logjistik drejt vendeve të BRICS, përmes mekanizmave që i konsideron më të mbrojtur dhe të pavarur nga presioni amerikan.
Lini një Përgjigje