Besnikëria ndaj aleancave kërkon parime dhe qartësi strategjike, jo heshtje konformiste të maskuar si diplomaci...
Pyetja mund të tingëllojë periferike për një vend si Shqipëria, por në thelb është thellësisht diplomatike. Sepse Groenlanda nuk është një çështje gjeografike e largët; është simbol i një krize më të madhe brenda botës euro-atlantike, ku aleanca, parimet dhe interesat nuk përputhen më automatikisht. Dhe pikërisht në këto momente, diplomacia e vërtetë testohet. Jo ajo që reciton formula, por ajo që di të artikulojë parime pa rënë në servilizëm.
Kriza rreth Groenlandës ka nxjerrë në pah tensione reale brenda NATO, përplasje mes interesit kombëtar amerikan dhe ndjeshmërisë evropiane, si dhe një debat të hapur mbi respektimin e sovranitetit, të drejtës ndërkombëtare dhe kohezionit aleat. Në këtë kontekst, heshtja e vendeve të vogla nuk është as neutrale, as e mençur. Ajo është thjesht mungesë pozicionimi, e mbështjellë me gjuhë diplomatike.
Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe aspirant serioz për konsolidimin euro-atlantik, nuk ka nevojë të zgjedhë mes aleatëve. Ajo ka nevojë të zgjedhë mes dy qasjeve: diplomacisë si parim dhe diplomacisë si servilizëm. Sepse mbështetja ndaj aleancave nuk përjashton artikulimin e qartë të normave që i mbajnë ato aleanca funksionale: respektin për sovranitetin, ligjin ndërkombëtar dhe vendimmarrjen kolektive.
Në praktikë, politika e jashtme shqiptare shpesh ngatërrohet me një refleks automatik për të mos thënë asgjë derisa ta thonë të mëdhenjtë. Por kjo nuk është diplomaci e përgjegjshme. Vendet serioze nuk maten nga pesha e tyre gjeografike, por nga koherenca e qëndrimeve. Një deklaratë e matur, e balancuar dhe e bazuar në parime nuk cenon askënd; përkundrazi, rrit kredibilitetin e vendit që e artikulon.
Servilizmi diplomatik, sado i kamufluar me fraza teknike dhe deklarata “në linjë me partnerët”, nuk ndërton respekt. Ai ndërton perceptimin e një shteti pa busull strategjike, që pret udhëzime në vend që të kontribuojë në debat. Dhe në një moment kur vetë NATO po përballet me dilema të brendshme, ky është luks që Shqipëria nuk mund ta përballojë.
Në fund, Groenlanda nuk është testi. Testi është nëse diplomacia shqiptare është në gjendje të kuptojë se besnikëria ndaj aleancave nuk kërkon heshtje, por qartësi; jo nënshtrim, por pozicionim; jo imitim, por mendim të artikuluar. Sepse diplomacia nuk është të thuash gjithmonë “po”, por të dish kur dhe si të thuash diçka me dinjitet. Dhe pikërisht këtu ndahen partnerët seriozë nga ndjekësit e bindur./Pamfleti
Natyrisht qe ka. Zelli me te cilin priti ftesen per ne bord eshte miratim me gjithe pasojat qe ai do sjelle. Personalisht ky bord mua me gjen kunder, por s'mund te harroj angazhimin amerikan ne ceshtjen kombetare, per te cilen Evropa vazhdimisht ka mbajtur qendrim te ftohte e indiferent. Besnikeri klasike ndaj Evropes s'ka perse te kete, aq me pak mund te kete pakenaqesi ndaj Amerikes pse na shpalli boterisht kriminelin Sali non grata, per te gjitha te zezat qe ai beri. Perkundrazi duhet ti jemi mirenjohes