TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë14 Korrik 2026, 15:55

Spanja dënon vëllanë e Pedro Sánchez, në Shqipëri vëlla Olsi bën ligjin!

Shkruar nga Pamfleti
Spanja dënon vëllanë e Pedro Sánchez, në
Rama-Sanchez dhe vëllezërit e tyre

Dënimi i vëllait të Pedro Sánchez rikthen në vëmendje kontrastin me Shqipërinë, ku emri i Olsi Ramës është përmendur në disa çështje, por pa çuar në ndjekje penale apo gjykim...

Një gjykatë në Spanjë ka dënuar David Sánchez, vëllain e kryeministrit Pedro Sánchez, për shpërdorim detyre administrative, duke e skualifikuar për nëntë vjet nga mbajtja e funksioneve publike. Gjykata arriti në përfundimin se posti publik që ai mori në vitin 2017 në këshillin vendor të Badajoz ishte krijuar posaçërisht për të.

Bashkë me të u dënua edhe Miguel Ángel Gallardo, ish-president i këshillit vendor dhe drejtues rajonal i PSOE-së, i cili u skualifikua për 18 vjet nga funksionet publike.

Sipas vendimit të gjykatës, 11 të dënuarit morën pjesë në krijimin e një posti të panevojshëm në administratë, me qëllimin që ai të plotësohej nga David Sánchez. Ndërkohë, akuza për ushtrim ndikimi u rrëzua për mungesë provash.

Vendimi përbën një goditje të fortë politike për kryeministrin spanjoll, i cili prej muajsh ndodhet nën presion për shkak të hetimeve që kanë prekur njerëzit më të afërt të tij. Bashkëshortja e tij, Begoña Gómez, vijon të jetë nën hetim, ndërsa figura të rëndësishme të Partisë Socialiste janë përballur me akuza, arrestime ose dënime. Mes tyre është edhe ish-ministri i Transportit, José Luis Ábalos, i dënuar nga drejtësia spanjolle për vepra të lidhura me korrupsionin.

Për vite me radhë, Pedro Sánchez është konsideruar një nga figurat më të fuqishme të së majtës europiane dhe një prej aleatëve politikë më të afërt të Edi Ramës. Sot, megjithatë, kalendari politik i Sánchez po diktohet nga gjykatat dhe hetimet, jo nga axhenda e tij qeverisëse.

Në Tiranë, panorama paraqitet krejt ndryshe.

Emri i Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama, është përmendur publikisht në disa çështje me profil të lartë, përfshirë dosjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë dhe hetime jashtë Shqipërisë që lidhen me mashtrimet me call center të "Milton Group". Megjithatë, autoritetet shqiptare nuk kanë ngritur akuza penale ndaj tij. Jo vetëm akq, pro miku i tij Am,ant Josifi nuk u rpek nga drejtësai shqiptare. Siç kanë raportuar OCCRP dhe mediat e tjera, Josifi ishte ortak biznesi me Olsi Ramën në kompaninë "Pegasus Communication" deri në vitin 2017, dhe kjo lidhje ka ngritur dyshime të vazhdueshme për mbrojtje nga nivelet më të larta.

Hetimet ndërkombëtare e përshkruajnë atë jo thjesht si administrator, por si një "bos mashtrimi" me akses politik dhe lidhje me grupin ndërkombëtar "Milton Group", i cili operonte 6 nga 15 qendrat e tij në Shqipëri.

Po ashtu SPAK mbylli hetimet për çështjen e Xibrakës pa ngritur përgjegjësi ndaj Olsi Ramës, edhe pse faktet janë sheshit se makina që hynte e dilte te magazinat e drogës ka qenë e Olsi Ramës.

Pikërisht këtu qëndron kontrasti politik.

Në Spanjë, drejtësia ka goditur njerëzit më të afërt të kryeministrit, pavarësisht kostos politike që kjo sjell për qeverinë. Në Shqipëri, vëllai i kryeministrit bën ligjin.

Dallimi nuk është vetëm juridik. Është edhe politik.

Në Madrid, çdo zhvillim i ri e shton presionin mbi Pedro Sánchez. Në Tiranë, Edi Rama nuk është përballur me një situatë të ngjashme që të prekë drejtpërdrejt familjen e tij në sallën e gjyqit. (Linda Rama çdo vit deklaron apartamente dhe prona shtesë, por nuk ka asnjë verifikim për këto deklarime).

Kjo nuk do të thotë se rastet janë të njëjta. As nuk do të thotë se përgjegjësitë janë të krahasueshme. Por krijon një kontrast të fortë politik: në njërin vend, drejtësia ka prodhuar vendime që prekin rrethin më të afërt të kryeministrit; në tjetrin, emra të përmendur në debate publike dhe dosje hetimore nuk kanë përfunduar përballë gjykatës.

Ndërsa Pedro Sánchez përpiqet të mbajë në këmbë qeverinë mes një vale hetimesh, dënimesh dhe krizash politike, Edi Rama vazhdon të qeverisë pa u përballur me një situatë të ngjashme që të prekë familjarët e tij në aspektin penal. Dhe ky është kontrasti që sot ndan Madridin nga Tirana. /Pamfleti

 

rama sanchez olsi

Lini një Përgjigje