Në Ankara, spektakli nuk funksionoi. Vështrimi i ftohtë i Donald Trump dhe përpjekjet për të zbutur marrëdhëniet me Friedrich Merz tregojnë se beteja diplomatike e Edi Ramës sapo ka hyrë në fazën më të vështirë...
Në Samitin e NATO-s në Ankara, Edi Rama tentoi edhe një herë të luante rolin e zakonshëm të “klounit” protokollar, duke përdorur si simbol atletet e bardha.
I shqetësuar se do të vihej përballë kritikave për situatën politike në Shqipëri dhe protestat që vazhdojnë prej më shumë se një muaji, ai duket se zgjodhi edhe kësaj radhe të përdorte lëvizje pa top, duke shpresuar që të fitonte vëmendje përmes imazhit dhe jo përmes politikës.
Në një botë virtuale si kjo e sotmja, ia doli që disa portale italiane dhe turke të publikonin fotografi dhe shënime të shkurtra për atletet e tij.
Por në momentin më të rëndësishëm të samitit, ato atlete u shndërruan në mallkimin e tij.
Sidomos kur Donald Trump nuk denjoi as ta shihte, edhe pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ia përmendi praninë.
Pikërisht ai vështrim i ftohtë i Presidentit amerikan duket se ishte dushi i akullt për Edi Ramën.
Një njeri që e njeh mirë gjuhën e trupit dhe kodet e komunikimit në samite të tilla.
Natyrisht, problemi nuk ishin atletet.
Ashtu siç nuk ishte kostumi ushtarak i Volodymyr Zelenskyt problemi në takimin e tij të parë në Zyrën Ovale.
Çështja është gjithmonë te mesazhi politik që përcillet.
Nëse për vite me radhë Rama është toleruar të sillet si gaztori i samiteve ndërkombëtare, sot situata është krejt tjetër.
Ai është një nga liderët më jetëgjatë dhe më të kontestuar të rajonit.
Dhe në një moment të tillë nuk mund të vazhdojë pafundësisht të ndërtojë profilin e tij mbi spektaklin.
Recep Tayyip Erdoğan mund të tolerohet për shumë gjëra.
Mund të burgosë opozitën, mund të shtypë protestat, por Turqia mbetet një fuqi ushtarake me peshë strategjike në NATO.
Për më tepër, Erdoğan nuk e ka ndërtuar kurrë profilin e tij ndërkombëtar mbi karagjozllëkun protokollar.
Pikërisht për këtë arsye, në takimin me Emmanuel Macron në Paris, Edi Rama shkoi krejt ndryshe.
Pothuajse si Volodymyr Zelensky në vizitën e tij të dytë në Uashington, kur vendosi të vishej me kostum.
Një përpjekje për të zbutur klimën politike.
Sidomos me njeriun që ai konsideron kundërshtarin kryesor në atë sallë:
Kancelarin gjerman Friedrich Merz.
Shqipëria nuk ka qenë pjesë e takimeve të koalicionit të vendeve mbështetëse të Ukrainës.
Jo sepse nuk është pro Ukrainës.
Por sepse nuk ka peshën politike dhe ushtarake që të jetë faktor në atë tryezë.
Megjithatë, sipas burimeve pranë mazhorancës, Rama ka lobuar fort për të qenë i pranishëm në mjediset ku zhvilloheshin bisedimet.
Madje thuhet se është kërkuar edhe një ndërmjetësim për të realizuar një takim me kancelarin Merz.
Në Tivat, gjatë takimit të tyre të shkurtër, Merz, sipas të njëjtave burime, i kishte kërkuar të kthehej në Tiranë dhe të fliste me qytetarët që kishin dalë në rrugë.
Këtë herë, sipas shumë gjasave, Edi Rama po zhvillon përpjekjen e tij të fundit për të ndalur valën e dytë të krizës politike që pritet në vjeshtë.
Me Erdoğanin, sipas këtij interpretimi, ai zgjodhi kompromisin, duke pranuar mbylljen e Universitetit Beder dhe duke hapur rrugën për zgjerimin e pranisë së institucioneve arsimore turke në Shqipëri.
Por me Friedrich Merz, gjasat duken shumë më të vogla.
Edhe pse, sipas burimeve, këtë herë në rol ndërmjetësi është futur vetë Presidenti francez Emmanuel Macron./Pamfleti
Q: Pse i hoqi Edi Rama atletet e bardha në samitin e Parisit? A: I mbanin ere kembet!
Cfare ka bere Europa per Shqiperine gjate gjithe historise? Na ka coptuar.