Pagesa 4 miliardë lekë për këngëtarin kontravers u krye pa u miratuar në Kuvend, në shkelje të nenit 101 të Kushtetutës. Rama firmosi Aktin Normativ më 6 korrik, e publikoi në Fletoren Zyrtare më 7 korrik dhe ministrat Malaj e Gonxhe bënë pagesën brenda 24 orëve, ndërsa parlamenti as që u njoftua. Fondi rezervë i emergjencave, i përdorur për fatkeqësi natyrore, iu dhurua një koncerti privat...
Kryeministri Edi Rama e ka thelluar më shumë skandalin e pagesës 4 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, që ia dhuroi këngëtarit Kanye West, si rimbursim për dështimin e shitjes së biletave të koncertit të tij në Tiranë, ngaqë shqiptarët e refuzuan pjesëmarrjen.
Skandali filloi me shkeljen e rëndë të nenit 101 të Kushtetutës, duke i akorduar 4 miliardë lekë nga fondi rezervë i emergjencave, të cilat përdoren vetëm në raste fatkeqësish natyrore, epidemish shëndetësore e krizash të pashmangshme ekonomike.

Ndërsa koncerti i këngëtarit Kanye West, i padëshiruar në të gjitha vendet e BE-së, nuk është çështje emergjence, por është biznes privat dhe propagandë për pushtetin personal të Edi Ramës.
Kryeministri Edi Rama e ka thelluar më tepër skandalin me këtë zhvatje që i ka bërë taksave të shqiptarëve në maskën e një koncerti klientelist, duke futur në fuqi zbatimin e pagesës për koncertin e Kanye West.
Një ditë pasi e ka firmosur, ai e ka publikuar Aktin Normativ Nr. 3, datë 6 korrik 2026, në Fletoren Zyrtare Nr. 146, datë 7 korrik 2026, me përcaktimin: "Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare".
Por neni 101 i Kushtetutës detyron këto procedura që duhen zbatuar nga kryeministri:
Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme.
Këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve, nëse nuk është i mbledhur.
Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, nëse nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve.
Aktin normativ për 4 miliardë lekë të dhuruara këngëtarit Kanye West, duke i trajtuar si "shpenzime për emergjenca kombëtare", kryeministri Edi Rama e firmosi më 6 korrik dhe nuk e ka dërguar akoma në Kuvend, por, në shkelje të Kushtetutës, e ka publikuar edhe në Fletoren Zyrtare me hyrje në fuqi pa u miratuar më parë në parlament.
Informacioni i ardhur në "Pamfleti" nga burime brenda Ministrisë së Financave bën me dije se Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhe, kanë kryer pagesën në llogarinë e këngëtarit pa u miratuar Akti Normativ në parlament, kur ai duhet të futet në zbatim vetëm pasi të miratohet në parlament.
Element tjetër i skandalit me aferën 4 miliardë lekë është në nenin 3 të Aktit Normativ, ku thuhet: "Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit autorizohet të nënshkruajë kontratën me kompaninë e këngëtarit, me qëllim disbursimin e fondit të parashikuar."
Pagesa e kryer tregon se akti normativ, kontrata dhe pagesa janë bërë me urgjencë brenda 24 orësh, sikur financierët e këngëtarit Kanye West kanë qenë brenda në zyrën e Blendi Gonxhes për t'i marrë me urgjencë miliardat, dhe iu dhanë pa u miratuar në parlament.
Siç kuptohet, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave dhe Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, bashkë me deputetët e PS-së në rresht, kanë marrë urdhër nga Edi Rama për ta miratuar "pas pilafit" këtë akt vjedhjeje, të zbatuar paraprakisht në shkelje të Kushtetutës./Pamfleti
Lini një Përgjigje