TAGS-AT E JAVËS

Kronike10 Korrik 2026, 12:38

Në kërkim ndërkombëtar për vrasje, arrestohen dy anëtarë të një organizate kriminale në Durrës

Shkruar nga Pamfleti
Në kërkim ndërkombëtar për vrasje, arrestohen dy
Pamje nga arrestimi

Senafi Nuredini dhe Musa Xhaviti u kapën në kuadër të operacionit “Fury”, ndërsa Xhenkiz Rushiti dyshohet se u siguronte dokumente të falsifikuara.

Dy të rinj të shpallur në kërkim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut janë arrestuar në Durrës, ndërsa në pranga ka rënë edhe një person i tretë, i akuzuar për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Të arrestuarit janë identifikuar si: Senafi Nuredini, Musa Xhaviti dhe Xhenkiz Rushiti.

Senafi Nuredini dhe Musa Xhaviti ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL, pasi autoritetet maqedonase i kërkonin për veprat penale të vrasjes, plagosjes, armëmbajtjes pa leje dhe kryerjes së veprave penale në kuadër të një organizate kriminale.

Gjatë kontrollit, Policia u gjeti dy të arrestuarve dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se i përdornin për të udhëtuar jashtë Maqedonisë së Veriut me qëllim shmangien e autoriteteve të drejtësisë.

Në vijim të operacionit u arrestua edhe Xhenkiz Rushiti, 26 vjeç, i cili dyshohet se u kishte siguruar dy të kërkuarve dokumentet e falsifikuara. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua një sasi e vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit të koduar “Fury”, të zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, partnerët ligjzbatues amerikanë dhe autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

"Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe intensiv ndërmjet strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë, përmes skuadrave të përbashkëta hetimore dhe aksioneve të koordinuara operacionale, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Departamentit të Policisë Kriminale në DPPSh, në bashkëpunim me partnerët ligjzbatues amerikanë me prezencë në rajon, me shërbimet e DVP Durrës dhe me homologët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, finalizuan operacionin e koduar “Fury”.

Në kuadër të këtij operacioni u lokalizuan, u kapën në Durrës dhe u vunë në pranga shtetasit M. Xh., 26 vjeç, i lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, i lindur në Norvegji.

Për këta shtetas, INTERPOL ka lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për: vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale, në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë iu gjetën të arrestuarve dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë përdorur për të udhëtuar jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim shmangien e sistemit të drejtësisë në këtë vend.

Në vijim, u arrestua në flagrancë shtetasi nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Xh. R., 26 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi dyshohet se iu ka siguruar shtetasve të kërkuar, dokumentet e identifikimit të dyshuara të falsifikuara. Gjatë kontrolleve në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit gjen rastin të falënderojë edhe një herë, partnerët strategjikë ligjzbatues amerikanë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe në Shkup, për bashkëpunimin, asistencën dhe koordinimin në këtë operacion të përbashkët.", njofton policia.

arrestohen dy anëtarë të një organizate kriminale në durrës 

Lini një Përgjigje