
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se armëpushimi në Gaza do të hyjë menjëherë në fuqi, sapo Hamasi të konfirmojë pranimin e planit për tërheqjen e pjesshme të Izraelit nga territori palestinez.
Në një deklaratë të publikuar në platformën e tij Truth Social, Trump shkruan: “Pas negociatave, Izraeli ka rënë dakord për vijën fillestare të tërheqjes, të cilën e kemi ndarë me Hamasin. Sapo Hamasi ta konfirmojë, armëpushimi do të hyjë menjëherë në fuqi. Do të nisë procesi i shkëmbimit të pengjeve dhe të burgosurve, dhe do të krijohen kushtet për fazën e ardhshme të tërheqjes, që do të na afrojë me fundin e kësaj katastrofe 3 mijëvjeçare”.
Trump shtoi në fund të postimit: “Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje — qëndroni gati për lajme të reja!”
Plani që përmend presidenti përfshin tërheqjen e pjesshme të ushtrisë izraelite nga disa zona të Gazës, si hap të parë drejt lirimit të plotë të pengjeve. Gjatë kësaj periudhe, të gjitha operacionet ushtarake do të pezullohen, deri në përmbushjen e kushteve për tërheqjen e plotë.
Sipas dokumentit të planit, të gjithë pengjet izraelitë duhet të kthehen brenda 72 orëve nga momenti kur Izraeli pranon publikisht marrëveshjen.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një fjalim televiziv mbrëmjen e sotme, u shpreh se beson që të gjithë pengjet do të lirohen gjatë festës hebraike të “Tabernakujve”, që zhvillohet nga 6 deri më 13 tetor.
Ky zhvillim pritet të shënojë fillimin e fazës më të ndjeshme të planit të paqes së propozuar nga Trump, i cili synon ndalimin përfundimtar të luftës në Gaza pas gati dy vitesh gjakderdhjeje.
Lini një Përgjigje