TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Tetor 2025, 20:27

Kush është Andrej Babiš, "Trump-i çek" që po ringjall nacionalizmin e vjetër evropian?

Shkruar nga Pamfleti
Kush është Andrej Babiš, "Trump-i çek" që
Babis-Trump

Paraja, pushteti dhe propaganda: anatomia e Andrej Babiš!

Në zgjedhjet parlamentare të fundit në Çeki, partia populiste ANO 2011 e ish-kryeministrit miliarder Andrej Babiš ka dalë bindshëm në krye, pasi janë numëruar 97% e votave. Sipas rezultateve paraprake, ANO ka marrë rreth 35% të votave, duke lënë pas koalicionin qeverisës të qendrës së djathtë “Së Bashku” të kryeministrit në largim Petr Fiala, që ka rënë në 23%. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pritet t’i konfirmojë rezultatet përfundimtare të hënën.

Në vendin e katërt renditet Partia Pirate, ish-aleate e Fialës në qeveri, me 8.6% të votave dhe 16 deputetë. Ndërsa një nga elementët më të spikatur të këtyre zgjedhjeve është rënia e ndjeshme e partive proruse dhe antisistem, të cilat më herët kërkonin referendum për daljen e Çekisë nga BE dhe NATO, dëbimin e refugjatëve ukrainas dhe ndërprerjen e çdo ndihme ndaj Kievit.

Kush është Andrej Babiš?

Në fushatë, slogani i tij ishte i qartë: “Po, përsëri do të jetë mirë.” 71-vjeçari Babiš, ish-kryeministër (2017–2021) dhe një nga njerëzit më të pasur në Evropën Qendrore, është një figurë e diskutueshme. Ai përballet me akuza për abuzim me fondet e BE-së, të cilat i mohon, ndërsa aleatët evropianë janë të shqetësuar për qëndrimet e tij kritike ndaj Brukselit dhe NATO-s.

Në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, Babiš ka ndërtuar një profil të ri populist, duke u shfaqur me veshje të thjeshta, xhinse dhe atlete, e duke imituar stilin e influencerëve të brezit të ri. Ai madje ka lansuar një linjë veshjesh me inicialet “AB”, që mbështetësit e blejnë si shenjë solidariteti, ndërsa kundërshtarët, si ironizim.

Në zgjedhjet e mëparshme, shpërndante kapele të kuqe në stilin MAGA me mbishkrimin “Çeki e fortë”. Këtë herë, ai e ka pozicionuar veten si një populist pragmatik çek, që disa e krahasojnë me Donald Trump apo Viktor Orbán, por që mban një profil më kombëtar.

Nga biznesmen në lider politik

I lindur në Bratislavë në vitin 1954, Babiš është bir i një diplomati sllovak. Ai ka jetuar pjesërisht në Paris dhe Gjenevë, jashtë realitetit sovjetik të kohës. Në vitin 1980 u bë anëtar i Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, ndërsa pas ndarjes së saj në 1992, u vendos në Republikën Çeke.

Në vitet ’90, ai ndërtoi perandorinë e tij ekonomike përmes kompanisë Agrofert, që sot është një nga punëdhënësit më të mëdhenj privatë në vend, me interesa në bujqësi, industri ushqimore, kimike dhe ndërtim. Por pasuria e tij është edhe burim polemikash.

Në vitin 2024, qeveria çeke i kërkoi Agrofertit të kthejë mbi 200 milionë euro subvencione të marra gjatë kohës kur Babiš ishte kryeministër, me arsyetimin se ka pasur konflikt interesi. Edhe pse ai transferoi kompaninë në dy trasta besimi, gjykatat vendosën se ai vijon të ushtrojë kontroll mbi të. Babiš mohon çdo shkelje dhe thotë se do të mbajë aksionet, por nuk do të menaxhojë kompaninë.

Ndër çështjet më të ndjeshme ndaj tij është dosja e njohur si “Foletë e lejlekut” (Stork’s Nest), ku dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme 2 milionë dollarë fonde të BE-së për një qendër konferencash pranë Pragës, duke e regjistruar përkohësisht në emër të familjarëve për të përfituar subvencionet. Ai e mohon edhe këtë akuzë.

Populizëm, media dhe politika e jashtme

Babiš kontrollon disa media të fuqishme, dy gazeta, një radio dhe një kanal muzikor, që i ka përdorur për qëllime politike gjatë mandatit të parë. Në politikën e jashtme, ai mban një qëndrim kritik ndaj BE-së, është kundër Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane (Green Deal) dhe Paktit të Migracionit, duke premtuar se do të mbrojë “interesat kombëtare” të Çekisë.

Edhe pse e ka vënë në dyshim ndihmën ndaj Ukrainës dhe rolin e NATO-s, bashkëpunëtorët e tij e përshkruajnë si “pragmatik dhe jo ideologjik”.

Në gusht, gjatë një vizite në Beograd, Babiš u mburr në rrjetin X (ish-Twitter) se presidenti serb Aleksandar Vuçiç i kishte ofruar “100 mijë doza të vaksinës Pfizer” gjatë pandemisë, një shembull tipik i lidhjeve të tij të ngushta në Ballkan dhe të politikës së tij të jashtme të balancuar midis Lindjes dhe Perëndimit.

Fitorja e tij shënon një kthesë të fortë populiste në Evropën Qendrore, duke vendosur Çekinë në një linjë të ngjashme me Hungarinë e Orbánit dhe Sllovakinë e Robert Ficos, një bosht euroskeptik që po forcon gjithnjë e më shumë pozitat ndaj Brukselit. /Përshtatur nga "Danas"

Lini një Përgjigje