TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Tetor 2025, 16:50

Më mirë një paqe të çalë, sesa një gjenocid pa fund

Shkruar nga Pamfleti
Më mirë një paqe të çalë, sesa një gjenocid
Trump-Netanyahu

Askush nuk del i fituar nga kjo marrëveshje, por të paktën ka shpresë për mijëra palestinezë që po vdesin urie...

Ndodhi ajo që deri dje dukej e pamundur: Hamasi pranoi planin e paqes të propozuar nga Donald Trump dhe, në një kthesë të beftë, vetë presidenti amerikan mirëpriti këtë qëndrim të milicisë islamike, duke i kërkuar Izraelit të ndalojë “menjëherë” veprimet ushtarake.

Sipas kanalit izraelit Channel 12, kjo lëvizje ka zënë në befasi kryeministrin Netanyahu, i cili është vënë përballë një fakti të kryer, pa u konsultuar paraprakisht për përgjigjen e Hamasit. Kjo i ka kufizuar atij mundësinë për ta sabotuar sërish procesin e negociatave, siç kishte ndodhur më parë.

Sipas planit, të gjithë pengjet izraelite do të lirohen në një fazë të vetme, bashkë me trupat e të vdekurve. Por Hamas ka kërkuar si parakusht ndalimin e ofensivës izraelite dhe krijimin e kushteve që kjo të realizohet. Në përgjigje, Izraeli ka pezulluar operacionet për pushtimin e pjesës së fundit të Gazës dhe ka kaluar në një qëndrim mbrojtës.

Megjithatë, për të garantuar sigurinë e zbatimit të marrëveshjes, pritet një raund i ri negociatash për një marrëveshje më të detajuar. Deri tani nuk parashikohen elementë që mund ta zhbëjnë atë që është arritur, por situata kërkon vigjilencë.

Për palestinezët, ky është një moment lehtësimi pas muajsh bombardimesh të pandërprera, edhe pse sulme sporadike të ushtrisë izraelite raportohen ende, dhe një dritare shprese për ndihmat humanitare që kanë qenë të kufizuara në minimum.

Deri më tani, skenari ishte i njohur: një propozim paqeje, një miratim nga Hamas me disa kushte, e më pas sabotimi nga Netanyahu. Por kësaj radhe, përvoja ka bindur Hamasin dhe vendet arabo-muslimane të pranojnë planin pa kërkesa të mëdha shtesë, për të mos humbur një mundësi të rrallë për të ndalur gjakderdhjen.

Në këtë proces janë përfshirë edhe Rusia dhe Kina, që kanë ndikim të rëndësishëm në rajon dhe lidhje të ngushta me palestinezët. Të dyja kanë shprehur mbështetjen për planin amerikan, i cili fillimisht ishte modifikuar nga Netanyahu për ta bërë të papranueshëm për Hamasin, por edhe kjo përpjekje ka dështuar.

Plani, pavarësisht vakumit të tij, është pranuar për të dalë nga ngërçi. Megjithatë, mangësia më e madhe e tij është mungesa e garancive për një paqe të qëndrueshme dhe për të ardhmen e shtetit palestinez.

Analisti Meron Rapaport, për “+972 Magazine”, shkruan se, ndonëse plani ka mjaft probleme, ai përfaqëson fundin e iluzionit për dëbimin total të palestinezëve nga Gaza nga qeveria izraelite. Sipas tij, nëse marrëveshja zbatohet, do të ndalojë gjenocidi, do të ndalet shkatërrimi i Gazës, do të lejohen ndihmat humanitare, do të lirohen të gjithë pengjet izraelite dhe mijëra të burgosur palestinezë, dhe do të përfundojë një luftë e pakuptimtë dhe kriminale për të dyja palët.

Pikat kyçe të planit janë të ngjashme me të gjitha negociatat për armëpushim që kanë nisur që prej tetorit 2023: lirimi i pengjeve izraelite në këmbim të ndalimit të luftës dhe lirimit të të burgosurve palestinezë, një tërheqje graduale izraelite nga Gaza, heqja dorë nga pushteti nga Hamas dhe hyrja e një force shumëkombëshe sigurie me përfshirjen e disa shteteve arabe.

Sipas Rapaport, kjo nuk është fitore për Hamasin, veçanërisht pas mbi 100 mijë të vdekurve palestinezë dhe rrënimit të shumicës së qyteteve të Gazës, por nuk është as fitore për Izraelin, dhe veçanërisht jo për Netanyahu-n dhe aleatët e tij që kishin shpallur publikisht synimin për të “pastruar” Gazën nga popullsia palestineze.

Sipas një plani zyrtar izraelit të publikuar pas 7 tetorit, ishte planifikuar evakuimi i të gjithë popullsisë së Gazës, mbi 2.3 milionë vetë, dhe ushtria kishte filluar të shkatërronte lagje të tëra për të pamundësuar rikthimin e të zhvendosurve. Ky model operativ u konkretizua në të ashtuquajturin “Plani i Gjeneralëve”, i zbatuar që nga fundi i vitit 2024.

Trump, me planin e tij, e ndalon qartë këtë skenar. Sipas Rapaport, qëndrimi i përmbysur i zëdhënësve të Netanyahu, nga entuziazmi për dëbim total në mbështetje për marrëveshjen që e përjashton këtë, nuk buron vetëm nga fushata për rizgjedhje, por edhe nga një njohje e vonuar se një dëbim i tillë masiv është i paqëndrueshëm dhe praktikisht i pamundur.

“Koha e ‘mrekullive’, sipas fantazive të sëmura të Tel Avivit, për të zhdukur përfundimisht palestinezët nga Gaza, ka përfunduar. Të rrënuar, por të qëndruar, gazaëit janë ende aty”, shkruan ai.

Shumë e panjohura mbeten për të ardhmen, përfshirë rrezikun e një konflikti të ri, por për sot, pas kaq shumë horrorësh, ndalimi i gjenocidit duket një fitore e vogël humane. Termi “paqë e qëndrueshme” që përdor Trump mund të duket i tepruar, ndoshta më realiste do ishte të flisnim për një “paqë të përkohshme përfundimtare”.

Ndërkohë, analistët paralajmërojnë se ky pauzë në Gaza mund t’u shërbejë SHBA dhe Izraelit për t’u përgatitur për një tjetër luftë, këtë herë ndoshta kundër Iranit. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”

2 Komente

  1. B
    Ben

    Do mbaroje genocidi thoni, jo lufta se s eshte lufte.

    1. F
      Feti Dema

      Të gjithë kanë humbur luftën. Tramp personalisht ka fituar paqen. Tramp meriton çmimin :"Nobel Për Paqe". Nuk do ketë një goditje të dytë ndaj Iranit, as nga Izraeli dhe as nga SHBA. Demokratizimi i Iranit do vijë si nevojë e brëndshme e regjimit . "Aspirata "për shtet palestinez, hap pas hapi gjatë zbatimit të planit Tramp, do çoji në krijimin e Shtetit Palestinez. Autoriteti Palestinez me profesionistë dhe teknokrat presupozohet a priori që do jenë edhe patriot. Garantët ndërkombëtar, sigurojnë egzistencën , njohjen ndërkombëtare deri shuarjen e një armiqësie shekullore.

      Lini një Përgjigje