TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Tetor 2025, 21:18

Pas urdhrit të Trump, Izraeli i kërkon ushtrisë të ndalë operacionin në "Gaza City"; vijojnë bombardimet në periferi

Shkruar nga Pamfleti

Pas urdhrit të Trump, Izraeli i kërkon ushtrisë të

Sipas mediave izraelite, ekipet negociatore janë urdhëruar të rinisin bisedimet që sot për zbatimin e fazës së parë të planit...

Ushtria izraelite është urdhëruar nga udhëheqja politike të ndalojë ofensivën në qytetin e Gazës, ndërsa po përgatitet për zbatimin e fazës së parë të planit të presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për lirimin e pengjeve, raportoi radioja ushtarake izraelite të shtunën.

Në një deklaratë zyrtare, ushtria izraelite tha se është urdhëruar të “rrisë gatishmërinë për zbatimin e fazës së parë të planit të Trump”. Sipas radios ushtarake, operacionet në Rripin e Gazës do të ulen në “minimumin e nevojshëm”, ndërsa trupat do të mbeten vetëm për qëllime mbrojtëse.

Urdhri erdhi pasi Trump, të premten vonë në mbrëmje, i kërkoi Izraelit të ndalojë menjëherë bombardimet në Gaza, pasi përshëndeti pranimin e pjesshëm nga Hamasi të planit të tij për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare.

Megjithatë, pavarësisht kërkesës së presidentit amerikan, ushtria izraelite vazhdoi sulmet në disa zona të Rripit të Gazës edhe të shtunën. Sipas agjencisë palestineze Wafa, të paktën gjashtë civilë palestinezë, përfshirë dy fëmijë, u vranë nga bombardimet izraelite ndaj një shtëpie në qytetin e Gazës dhe një tenda ku strehoheshin të zhvendosur në Al-Mawasi. Dronë izraelitë goditën gjithashtu një grup njerëzish pranë një furre buke në qendër të qytetit, duke shkaktuar dhjetëra viktima, raporton Guardian.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite për arabisht, Avichay Adraee, paralajmëroi banorët të mos kthehen në pjesën veriore të Gazës apo në qytetin e Gazës, ku trupat izraelite vazhdojnë të qëndrojnë.

Sipas marrëveshjes së arritur, Hamasi ka pranuar të lirojë 48 pengjet e mbetura dhe të dorëzojë pushtetin në Rripin e Gazës, ndërsa ka kërkuar që pjesët e tjera të planit të diskutohen në tryezën e negociatave. Trump deklaroi se, bazuar në përgjigjen e Hamasit, “grupi është gati për paqe”.

Nga ana tjetër, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi se Izraeli është i përkushtuar për t’i dhënë fund luftës. Pas miratimit të planit nga Trump, Netanyahu përballet me presion të fortë ndërkombëtar dhe të brendshëm për ta zbatuar. Edhe në Izrael, plani është pritur pozitivisht: lideri i opozitës Yair Lapid tha se është “një mundësi e vërtetë për lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës” dhe se do të mbështeste politikisht Netanyahun në negociatat përfundimtare.

Sipas mediave izraelite, ekipet negociatore janë urdhëruar të rinisin bisedimet që sot për zbatimin e fazës së parë të planit. Edhe pse shumë detaje mbeten të paqarta, atmosfera diplomatike është dukshëm më optimiste se në muajt e fundit.

Një zyrtar i lartë i Hamasit tha për AFP se Egjipti po përgatit një konferencë të grupeve palestineze për të vendosur për të ardhmen politike të Gazës pas luftës – një hap që përputhet me planin e Trump.

Grupi Xhihadi Islamik Palestinez (PIJ), i cili mban pengje izraelite, deklaroi gjithashtu se mbështet qëndrimin e Hamasit, duke theksuar se përgjigjja e tij “përfaqëson pozicionin e përbashkët të forcave të rezistencës palestineze”.

Kjo mbështetje është një sinjal i rëndësishëm se Hamasi ka arritur unitet të brendshëm mes grupeve të armatosura në Gaza për të ecur përpara me planin amerikan.

Plani 20-pikësh i Donald Trump parashikon:

-ndalimin e menjëhershëm të luftimeve në Gaza;

-lirimin e 48 pengjeve izraelite brenda 72 orëve në këmbim të mbi 1,000 të burgosurve palestinezë;

-tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite nga Gaza;

-çarmatimin e Hamasit dhe krijimin e një autoriteti të përkohshëm tranzitor të mbikëqyrur nga vetë Trump;

-rritjen e ndihmës humanitare për popullsinë palestineze dhe fillimin e rindërtimit të Gazës, e cila përballet me uri dhe shkatërrim masiv pas rrethimit izraelit.

-Nëse plani zbatohet, ai do të shënonte fundin e konfliktit më të gjatë dhe më shkatërrimtar të shekullit XXI në Lindjen e Mesme – por mbetet për t’u parë nëse Izraeli do të ndalet me të vërtetë. 

Lini një Përgjigje