
Para se dielli të lindte sot, dhjetëra banorë të Minesotës dolën sërish në rrugë në Minneapolis për të protestuar vrasjen e një gruaje nga një agjent i Immigration and Customs Enforcement. Me pankarta të improvizuara në duar, protestuesit u mblodhën pranë Bishop Henry Whipple Federal Building, një objekt federal që u shndërrua shpejt në epiqendrën e përplasjes me autoritetet.
Sipas raportimeve nga terreni, agjentët federalë ndërhynë disa herë për të shtyrë turmën, ndërsa tensionet u përshkallëzuan kur forcat e rendit tentuan të arrestonin një person brenda protestës. Korrespondenti i CNN, Ryan Young, raportoi se oficerët u futën me forcë në turmë dhe nisën të qëllonin me spraj piperi për ta shpërndarë. “Nuk dihet pse vendosën të shkonin pas këtij personi. Njerëzit po qëndronin të qetë dhe papritur u hodhën mbi të”, deklaroi Young, duke shtuar se personi u prangos në vend.

Situata u përkeqësua më tej kur agjentët përdorën një substancë të ngjashme me gazin lotsjellës për të zhvendosur protestuesit përtej rrugës. Një re tymi mbuloi zonën, ndërsa protestuesit u panë duke kollitur dhe duke marrë frymë me vështirësi. Në vendngjarje mbërritën edhe njësi speciale të Border Patrol, të cilat u pozicionuan në vijë përballë turmës. Ndërsa disa agjentë tentuan uljen e tensioneve, të tjerë u dëgjuan duke provokuar protestuesit dhe duke përdorur forcë fizike. Protestuesit reaguan me thirrje të forta, duke i quajtur oficerët “vrasës” dhe “nazistë”, ndërsa autoritetet pastruan çdo hyrje rreth objektit federal. Situata në Minneapolis mbetet e ndezur dhe sinjalizon një tjetër kapitull të errët në përplasjet mes komuniteteve dhe politikave federale të emigracionit.
Lini një Përgjigje