TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Janar 2026, 14:18

Nga litiumi i Kilit te nafta e Venezuelës: Lufta e re për dominim burimesh sapo ka filluar

Shkruar nga Robert Fox

Nga litiumi i Kilit te nafta e Venezuelës: Lufta e re për dominim

Përtej retorikës, doktrina “Donroe” synon kontrollin e mineraleve kritike dhe rezervave të naftës për të thyer varësinë nga Kina. Synimi mbetet sigurimi i supremacisë teknologjike përmes një “Loje të Madhe” për burimet strategjike nga Amerika Latine deri në Antarktidë...

Operacioni në Venezuelë sapo ka filluar dhe ne jemi të ftuar - jo vetëm nga vetë oborrtarët e Trumpit - që të pyesim: kush e ka radhën? Në menu është përmbysja e udhëheqësit të zgjedhur me votë në Kolumbi, një grusht shteti kundër regjimit kuban dhe madje edhe një pushtim tronditës (përmes tokës dhe akullit) i Grenlandës.

Kjo shfaqje madhështore është pjesë e një plani të Shtëpisë së Bardhë, të përcaktuar në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të vitit të kaluar, për ta bërë SHBA-në “të shquar” në Hemisferën Perëndimore, duke mbrojtur “qasjen e saj në zona kyçe gjeografike në të gjithë rajonin”.

Por nën blofin, mburrjet dhe orientimin e gabuar të Donald Trump dhe ekipit të tij, fshihen tema të zakonshme dhe të qëndrueshme: ato rreth thesareve të gjetura nëntokë dhe qëllimit të SHBA-së, siç përshkruhet në strategji, për të “zotëruar ose kontrolluar asetet strategjikisht të rëndësishme në Hemisferën tonë”.

Kohët e fundit, Trump ka pasur në mendje naftën e Venezuelës. Por po aq i rëndësishëm është shfrytëzimi dhe përpunimi i burimeve si metalet e rralla, litiumi dhe mineralet e tjera strategjike.

SHBA-ja ka nevojë urgjente për burime jashtë Afrikës dhe Azisë për këta elementë jetikë, të cilët përdoren për një gamë të gjerë produktesh, nga telefonat dhe kompjuterët te makinat elektrike. “Mendoj se kjo është një nga konsideratat vërtet të mëdha në politikën e jashtme të Amerikës”,  thotë Adrian Binks, nga grupi i analistëve kryesorë të energjisë, Argus Media.

Kjo është pjesërisht arsyeja pse Trump deklaroi të martën se SHBA-ja po diskuton “një sërë opsionesh” për të blerë Grenlandën. Ai pretendon se territori gjysmë-autonom danez është i nevojshëm për mbrojtjen strategjike të Amerikës në të gjithë Arktikun.

“Ai është plot me anije kineze dhe ruse” - ishte një koment i tij i kohëve të fundit dhe disi i çuditshëm, në lidhje me ishullin e madh të ngrirë. Ndërsa pasuritë minerale do të jenë të vështira për t’u nxjerrë, ai është i vendosur t’i mbajë rusët dhe kinezët larg kësaj pjese të Veriut të ngrirë - në atë që njihet në zhargonin strategjik si “mohim i qasjes dhe mbrojtje e zonës”.

Ndërkohë, Argjentina, Brazili dhe Kili kanë rezerva të njohura dhe dyshohet se shumë të tjera nuk janë zbuluar ende. Gara për minerale është “Loja e Re e Madhe” dhe do të shfaqet gjithnjë e më shumë në axhendën e Trumpit, në një mënyrë që presidentët e mëparshëm ekspansionistë të SHBA-së si Xhejms Monroe, Uilliam Mekinli dhe dy Ruzveltët (Tedi dhe Frenklin), vështirë se mund ta kishin ëndërruar.

Kili është veçanërisht tërheqës për SHBA-në, shumë i pasur me bakër, metale të rralla dhe litium. Më konkretisht, Kili është një vend pionier në impiantet e përpunimit të metaleve të rralla. SHBA-ja do të dojë që t’i blejë ose t’i marrë përsipër këto biznese teksa ato zhvillohen, për të zhdukur varësinë nga Kina, e cila kontrollon rreth 90 për qind të përpunimit të tyre në mbarë botën.

“Përpunimi i këtij materiali është një biznes i ndyrë dhe i rrezikshëm dhe me një rrezik të lartë për jetën. Amerika nuk e dëshiron këtë në territorin e saj, nëse mund ta shmangë”, më tha këtë javë një ekspert i inteligjencës energjetike.

Sa i përket Kolumbisë - një demokraci funksionale, me Presidentin Gustavo Petro që pritet të largohet nga detyra këtë verë dhe me një ushtri të fortë - Trump po kërkon besnikëri dhe stabilitet më shumë sesa burime natyrore dhe naftë, duke synuar ndalimin e fluksit të kokainës dhe emigrantëve.

Kjo përmblidhet tek paralajmërimi i Trumpit ndaj Petros se “është më mirë që të tregohet i kujdesshëm”. Ai nuk dëshiron të ndërhyjë drejtpërdrejt, por mund të nisë një operacion nga e njëjta flotë që mbikëqyr Venezuelën nga Karaibet.

Trump nuk bën aleanca, ai preferon klientët, përfaqësuesit dhe vartësit. Qasja e tij ndaj aleatëve më të vegjël është t’i frikësojë ose t’i injorojë ata. Kur bëhet fjalë për naftën, lojtarët e mëdhenj në rajon, sipas analistëve si Binks, janë Venezuela, “lojtari i ri” në bllok, por edhe Guajana, Brazili e Argjentina.

Venezuela ka rezervat më të mëdha të njohura të naftës në botë, me një potencial prej mbi 300 miliardë fuçish, kryesisht në pellgun e lumit Orinoko (Arabia Saudite renditet pas saj, me një rezervë të vlerësuar prej 267 miliardë fuçish). Megjithatë, ndërsa nafta e rëndë bruto e Venezuelës vlerësohet shumë, shfrytëzimi i saj është i vështirë dhe nafta e këtij vendi përfaqëson vetëm një për qind të asaj që tregtohet aktualisht në tregun botëror. Menaxhimi i naftës së Venezuelës do të jetë një çështje delikate.

Trump ka të ngjarë të përpiqet që ta nënkontraktojë punën te gjigantët e naftës si Chevron (të cilit i është lejuar së fundmi të hyjë në Venezuelë) dhe British Petroleum. Kjo qasje e mosndërhyrjes ushtarake mund të përdoret edhe në rastin e suksesit mahnitës të industrisë së naftës dhe gazit në det të hapur të Guajanës, e cila gjeneron rreth 1 milion fuçi në ditë, nga pothuajse asgjë vetëm dy dekada më parë.

Argjentina po mbështetet nga SHBA-ja me një shumë prej 4 miliardë dollarësh, jo vetëm sepse presidenti Javier Milei është fansi kryesor i Trumpit në Amerikën Latine, por edhe për shkak të perspektivave të saj në fushën e mineraleve dhe hidrokarbureve.

Argjentina është pioniere në kërkimet e reja për naftën dhe mund të pretendojë pellgun e madh detar të Malvinës, që shtrihet nga Brazili në Antarktidë, i cili së shpejti mund të bëhet një projekt me fitim të kënaqshëm. Po ashtu, Argjentina ka qasje në Antarktidë, e cila ka të ngjarë të shfrytëzohet së shpejti, pavarësisht Traktatit të Antarktidës të vitit 1959.

Prodhuesit kryesorë të energjisë aty pranë - Meksika, Brazili dhe Kanadaja - janë të pasur me rezerva nafte dhe kryesisht me minerale të paeksploruara dhe lëndë të rralla. Tani ata figurojnë rregullisht në listën e “armiqve” të Trumpit, megjithëse Uashingtoni duket se pranon se nevojitet një lloj partneriteti me ta, në vend të një lufte.

Të treja këto vende janë shumë të mëdha për t’u nënshtruar nga lloji i taktikave të përdorura javën e kaluar në Venezuelë. Trump nuk ka mjaftueshëm forca konvencionale për këtë gjë. Prandaj, në lojën e gjatë për burimet, elementët strategjikë, metalet e rralla dhe mineralet do të jenë vendimtarët.

Dhe perspektiva të mëdha shtrihen në jug - në Antarktidë dhe në vendet e “Konit Jugor” si Argjentina dhe Kili - po aq sa edhe në veri. Shfrytëzimi i burimeve minerale të jugut, veçanërisht i Antarktidës, shtrihet shumë përtej afatit të presidencës së Trumpit ose pasardhësve të tij të menjëhershëm. Kjo do të kërkonte kompromise delikate me kombe që kanë zëra të fuqishëm, pavarësisht madhësisë së tyre globale - si Britania, Norvegjia dhe Australia - si dhe joshjen e Kinës, e cila është një investitore e madhe në Antarktidë./ Përshtati "Pamfleti" nga “The Intelligent Paper”.

Lini një Përgjigje