
Mes shumë pyetjeve që kanë shpërthyer pas ngjarjeve dramatike të fundjavës së kaluar në Venezelë, njëra ka të bëjë me gruan me syze që tani udhëheq atë që zyrtarët amerikanë e quajnë “autoritetet e përkohshme” të Venezuelës.
Pse Delcy Rodríguez?
Çfarë ka Delcy Rodríguez, vajza e një ish-guerrilasi marksist dhe zëvendëse e diktatorit të rrëzuar Nicolás Maduro, që ka tërhequr vëmendjen e administratës Trump?
Dhe pse Uashingtoni ka vendosur të mbajë në pushtet një revolucionare të shpallur “Chavista” (term që i referohet mbështetësve ose ndjekësve të ideologjisë dhe politikave të Hugo Chávez, ish-presidentit të Venezuelës), në vend që të mbështesë lideren e opozitës, María Corina Machado, lëvizja e së cilës besohet gjerësisht se fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2024?
Sipas ish-ambasadorit amerikan në Venezuelë, Charles Shapiro, përgjigjja është e thjeshtë:
“Kanë zgjedhur stabilitetin mbi demokracinë. Kanë mbajtur regjimin diktatorial pa diktatorin. Njerëzit e tij janë ende aty. Mendoj se është jashtëzakonisht e rrezikshme.”
Alternativa, ndryshimi i plotë i regjimit dhe mbështetja e Machado-s do të sillte rreziqe të tjera, përfshirë përçarje mes figurave të opozitës dhe largimin e rreth 30% të venezuelianëve që votuan për Maduron.
Në një konferencë shtypi të shtunën, presidenti Trump befasoi shumë vëzhgues duke e quajtur Machadon “të papërfillur” brenda Venezuelës, ndërsa Rodríguezin e përshkroi si “fisnike”. Ish-diplomatë amerikanë e kritikuan këtë vendim, duke thënë se në fakt u mohua e gjithë lëvizja opozitare.
Shpejtësia dhe lehtësia me të cilën Maduro u rrëzua dhe Rodríguez u vendos në pushtet ngriti dyshime se ajo mund të ketë qenë pjesë e planit. Por analistë si Phil Gunson nga International Crisis Group theksojnë se pushteti real mbetet tek ministri i mbrojtjes Vladimir Padrino López dhe ministri i brendshëm Diosdado Cabello, të dy besnikë të Maduros.
Vendimi për të mbështetur Rodríguez erdhi pas paralajmërimeve se Machado mund të sillte destabilitet të rrezikshëm. Raporte të ICG-së dhe një vlerësim i klasifikuar i inteligjencës amerikane paralajmëruan për mundësinë e dhunës dhe luftimeve guerile nga elementë të forcave të sigurisë.
Administrata Trump e sheh Rodríguezin si një figurë me të cilën mund të negociojë: ajo ka treguar prirje për reforma ekonomike, hapje ndaj kapitalit të huaj dhe bashkëpunim në çështje si nafta dhe lufta kundër narkotikëve, shkruan BBC.
Megjithatë, një tranzicion i vërtetë demokratik duket se nuk është prioritet i menjëhershëm për Uashingtonin.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio paraqiti një plan tre-fazor: stabilizim i vendit dhe menaxhim i naftës nën mbikëqyrje amerikane, proces pajtimi me amnisti dhe lirimin e të burgosurve politikë, dhe në fund një tranzicion. Por Trump tha se zgjedhjet nuk janë në horizont: “Duhet ta rregullojmë vendin më parë. Nuk mund të ketë zgjedhje.”
Analistët paralajmërojnë se pa sundim ligji dhe legjitimitet, investimet e mëdha të huaja nuk do të vijnë. Ish-ambasadori Shapiro e krahasoi ngritjen e Rodríguezit me "dedazo"* e Hugo Chávez kur emëroi Maduron si pasardhësin e tij: “Ky është dedazo i Trump,” tha ai.
* Dedazo, fjalë spanjolle që përdoret kur një lider, zgjedh pasardhësin e tij pa ndjekur procesin normal demokratik).
Sepse ata te Maduros e shiten Maduron. S'ka bir kurve te perlaje nje president edhe ne shtetin me te humbur te botes. I gjithe opinioni i mencur boteror thote qe ishte shitje. Ne Alaske jane bere shume pazare qe botes iu futen drithmat nga pazarlleqet e gangstereve te medhenj.