TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Qershor 2026, 11:00

“Tre vite zvarritje”, Maliqi 'shpërthen' para KQZ-së: Hajdari po mbrohet nga oligarkë dhe politika!

Shkruar nga Pamfleti
“Tre vite zvarritje”, Maliqi 'shpërthen' para
Ish-deputeti Lefter Maliqi

Ish-deputeti Lefter Maliqi ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve marrjen e një vendimi urgjent për çështjen e mandatit të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, duke pretenduar se procesi po zvarritet prej afro tre vitesh.

Në një deklaratë për mediat nga ambientet e KQZ-së, Maliqi tha se vendimi i Kolegjit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), i marrë me votim unanim 5 me 0, si dhe vendimi i Gjykatës së Lartë që kërkon shqyrtim urgjent të çështjes, nuk janë zbatuar ende.

Sipas tij, shtyrja e procesit po bëhet me qëllim që mandati i kryebashkiakut të përfundojë pa u marrë një vendim përfundimtar. Maliqi akuzoi për ndërhyrje të interesave politike dhe ekonomike në proces, ndërsa deklaroi se do të vijojë betejën ligjore dhe politike deri në zbardhjen e plotë të çështjes.

Ish-deputeti tha gjithashtu se ka depozituar kallëzime të tjera në SPAK dhe paralajmëroi hapa të mëtejshëm ligjorë, duke kërkuar që institucionet të zbatojnë ligjin e dekriminalizimit dhe të marrin një vendim përfundimtar për rastin.

"Jam sot pranë KQZ-së për të bërë një kërkesë për mbledhje urgjente për heqjen e mandatit dhe pavlefshmërinë e mandatit të dënuarit, akuzuesit, të paaftit, Kreshnik Hajdari në krye të Bashkisë së Grabitur 2023-shin në KZAZ-në e krimit 64. Dje, KQZ-ja duhet të bënte vendim në orën 11:00, por për shkak të mungesës së komisionerit të KQZ-së u shty pa afat. Për këtë arsye kam ardhur me kërkesën urgjente, sepse vendimi i KAS-it është 5 me 0 dhe vendimi i Gjykatës së Lartë është që urdhëron komisionerin e KQZ-së të marrë një vendim urgjent.

Imagjino, po bën tre vjet, ndërkohë që unë bëj kërkesa të tilla, Hajdari i famshëm me avokatë, me lobingje, me oligarkë, me politikanë të ndryshëm, zvarrit me fjalë ankimimet qëllimisht për të mbaruar mandati. Të njëjtën gjë ka bërë edhe kësaj radhe, kërkon dhe siguri mase në Gjykatën Administrative, ndërkohë që Gjykata Administrative nuk ka asnjë fuqi, sepse ka kaluar njëherë për të ndaluar vendimin e KQZ-së dhe në fund vendimin e KAS-it.

Të dashur shqiptarë, ju po e shikoni këtë lojë kungulleshkash, këtë cirk me institucionet e drejtësisë së kapur dhe institucionet e shtetit. Prandaj jemi në një shtet të kalbur, prandaj kam bërë edhe 11 kallëzime, por gjithë kjo betejë është betejë morale, politike, mediatike e fituar bashkë me qytetarët e Kuçovës për votën e lirë.

Ndërkohë që betejën ligjore do ta çojmë deri në fund, sepse në 2027-ën së bashku do rrëzojmë me votën tuaj Hajdarët, Hajdarin dhe Hajdarë të tjerë, kushdo që të jenë nga kandidatët e Rilindjes. Kështu që do ju them të gjithëve që unë kam bërë edhe kallëzime të tjera në SPAK, oligarkia, politika, ndërhyrjet, taksat, firmat e ndërtimit, të cilat janë të shqetësuara mbas Hajdarit të famshëm, ndërhyjnë kudo.

Një prokurore e SPAK-ut ka marrë tre çështje, avokatët e çështjeve dhe kërkon pushimin e tyre, por jeni të bindur që në datën 1 korrik në Gjykatën e Posaçme do të kërkoj shtyrjen e hetimeve, ndërkohë edhe ankimimin nëse do të jetë e nevojshme. Pra, nuk ka asnjë rrugë tjetër, nuk ka forcë që na ndal për betejën ligjore dhe për ta vendosur drejt prangave Hajdarin, që ka abuzuar me taksat tuaja, ka vjedhur e ka lënë Kuçovën si në mesjetë, të fundit në Shqipëri për shkak të abuzimeve të tmerrshme. Kërkojmë nga komisioneri i KQZ-së të mblidhet urgjent, të japë një vendim, pavarësisht ndërhyrjeve oligarkike dhe politike që mund ta mbajnë në detyrë.

Është KAS-i ai që do vendosë dhe unë do bëj betejën time. Dua të di të drejtën se deri ku shkon kjo çështje, sepse në bazë të ligjit të dekriminalizimit asnjë deputet apo kryetar bashkie që ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit për një masë dënimi të formës së prerë brenda apo jashtë vendit, pavarësisht masës së dënimit, të gjithë kanë lënë mandatin apo nuk kanë konkurruar apo janë përjashtuar apo janë shkarkuar nga detyra.

Rasti i vetëm është Hajdari i famshëm i mbështetur nga oligarkë, nga firma ndërtimi, nga avokatë të shtrenjtë dhe nga politikanë të cilët kërkojnë ta mbajnë peng me fjalë votën e lirë, të cilët ashtu siç grabitën, siç dhuruan kutitë në KZAZ-në e krimit 64, kështu kërkojnë me interesa korruptive, me taksat e qytetarëve, me abuzime të tmerrshme, kërkojnë zvarritjen e këtij procesi. Ne do ta çojmë betejën deri në fund. Nuk ka forcë që na ndal.

Imagjino, ish-drejtor, ish-drejtues policie, ish-drejtues i burgjeve, dy herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, drejtues vendor, kur ma bëjnë mua, imagjino çfarë u bëjnë qytetarëve të thjeshtë nëpër gjykatat dhe prokuroritë e rretheve për shkak të kësaj reforme në drejtësi të kalbur dhe të kapur nga ky narko-shtet.

Prandaj mbështes fuqishëm protestën masive, uraganin e qytetarëve për të rrëzuar këtë shtet të kalbur, këto institucione të kapura, këtë drejtësi të kapur dhe për t'i hapur rrugën Shqipërisë Europiane, shtetit ligjor", tha Maliqi në fjalën e tij për "Syri Tv".

ish-deputeti lefter maliqi kas kqz mandat kreshnik hajdari

Lini një Përgjigje