
Ajo që dikur dukej si një epokë e qëndrueshme, e mbrojtur nga ligji dhe marrëveshjet mes kombeve, tani po shpërbëhet ngadalë, derisa papritmas shfaqet si një kolaps i plotë. Kur fuqia merr vendin e ligjit dhe kur pushtimet e dhunshme zëvendësojnë sanksionet e ftohta diplomatike, bota rrezikon të kthehet në një skenë ku jeta njerëzore humbet vlerën dhe viktimat shtohen pa fund…
Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të kryer një operacion të fshehtë ushtarak natën në Venezuelë, me synim kapjen e presidentit vendas Nikolas Maduro, përbën një sulm të hapur ndaj rendit ligjor ndërkombëtar.
Ky akt rrezikon të mbyllë një epokë historike paqeje dhe të na rikthejë në një botë ku fuqia përcakton të drejtën. Çmimi i kësaj politike do të paguhet me jetë njerëzore.
Viti i kaluar shënoi 80-vjetorin e Kartës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1945, dokumenti themelor i nënshkruar nga 51 shtete në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Nënshkruesit u zotuan të vepronin “për të shpëtuar brezat e ardhshëm nga plagët e luftës”.
Që atëherë, fuqitë e mëdha nuk kanë hyrë në luftë me njëra-tjetrën dhe asnjë shtet anëtar i OKB-së nuk është zhdukur si rezultat i pushtimit. Megjithatë, gjatë dekadës së fundit kjo paqe ka nisur të shpërbëhet. Sot, ajo ndodhet në prag të shembjes së plotë.
Nëse ndodh kjo gjë, pasojat do të jenë katastrofike. Shifrat e vdekjeve e dëshmojnë shumë qartë: gjatë viteve 1989-2014, konfliktet ndërkufitare shkaktonin mesatarisht më pak se 15.000 viktima në vit. Pas vitit 2014, kjo mesatare u rrit në mbi 100.000 në vit.
Dhe ky është vetëm fillimi i një epoke të re, të mbushur me konflikte vdekjeprurëse.
Nga viti 2004 deri në vitin 2014, numri i viktimave nga konfliktet ndërkufitare ishte më pak se 160.000. Por pas kësaj periudhe, luftërat në Ukrainë, Etiopi dhe Lindjen e Mesme e rritën me 8 herë këtë shifër.
Këto të dhëna, të mbledhura nga Programi i të Dhënave të Konflikteve në Upsala, Suedi, tregojnë qartë se paqja e 8 dekadave të fundit nuk duhet të merret më si e mirëqenë. Historikisht, lufta ka qenë mjeti kryesor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Shtetet detyronin njëri-tjetrin të nënshkruanin traktate me armë dhe i zbatonin ato me luftë. Fituesit kishin të drejtën ligjore të mbanin tokë, mallra e njerëz. Ky sistem filloi të shembet pas Luftës së Parë Botërore, kur në vitin 1928 u nënshkrua Pakti Kellogg-Briand, dhe u konsolidua në vitin 1945 me Kartën e OKB-së, e cila e vendosi ndalimin e luftës në qendër të rendit të ri ndërkombëtar.
Pushtimet territoriale dhe diplomacia e bazuar në kërcënime ushtarake, u shpallën të paligjshme; sanksionet ekonomike u bënë mjeti kryesor i zbatimit të ligjit ndërkombëtar; ndërsa krimet e luftës u ndoqën penalisht në Nuremberg dhe Tokio.
Sigurisht, paqja nuk ishte e përsosur. Luftërat në Kore, Vietnam dhe Kamboxhia ishin dështime të tmerrshme. Dekolonizimi solli shtete të reja dhe luftëra civile, të cilat nuk mbuloheshin nga Karta e OKB-së. Megjithatë, një arritje e jashtëzakonshme u bë realitet: pushtimet, dikur të zakonshme, u bënë të rralla dhe numri i viktimave nga konfliktet ndërkufitare ra ndjeshëm.
Nga vitet 1990 deri në mesin e viteve 2010, vdekjet nga konfliktet ndërkufitare ishin relativisht të ulëta, me disa përjashtime si pushtimi i Kuvajtit nga Iraku në vitin 1991, lufta në Bosnjë në vitin 1992, konflikti midis Etiopisë dhe Eritresë në vitet 1999–2000, dhe lufta e Irakut në vitin 2003.
Por pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, kufizimet ligjore mbi përdorimin e forcës nisën të dobësoheshin. Shtetet e Bashkuara shpallën një të drejtë të re ligjore për vetëmbrojtje kundër grupeve jo-shtetërore, duke i hapur rrugën përdorimit të forcës së njëanshme nga shumë shtete të tjera.
Pas vitit 2014, me ngritjen e Shtetit Islamik, luftërat u përhapën në Siri, Irak, Jemen, Etiopi, Libi, Gaza dhe shumë vende të tjera, duke përfshirë shtete të jashtme që justifikonin ndërhyrjen me të drejtën e vetëmbrojtjes. Qindra mijëra njerëz humbën jetën.
Ndërkohë, luftërat ndërshtetërore u rikthyen me pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022, konfliktet në Siri, Poloni, Kirgistan e Taxhikistan, si dhe shpërthimet e dhunës në vitin 2024 midis Iranit dhe Izraelit, Afganistanit dhe Pakistanit.
Vitet e fundit, konflikte të tjera kanë marrë përmasa tragjike. Lufta midis Izraelit dhe Gazës ka vrarë mbi 72.000 njerëz, ndërsa lufta civile në Sudan ka marrë dhjetëra mijëra jetë.
Dhe tani, bombardimet e urdhëruara nga Presidenti Trump në Venezuelë, ku autoritetet lokale raportojnë të paktën 80 viktima, tregojnë një shpërfillje totale të kufizimeve të Kartës së OKB-së dhe ringjalljen e parimit se “fuqia bën të drejtën”.
Ky operacion nuk justifikohet nga e drejta e vetëmbrojtjes. Trafikimi i drogës nuk përbën “sulm të armatosur” sipas standardeve të së drejtës ndërkombëtare. Edhe nëse Maduro ka ardhur në pushtet në mënyrë të paligjshme dhe ka kryer krime, këto nuk e legjitimojnë përdorimin e forcës ushtarake kundër Venezuelës.
Sanksionet ekonomike dhe diplomatike janë mjetet e vetme të ligjshme. Nëse ky precedent pranohet, shtete të tjera do të ndjekin shembullin. Mund të ketë ende kohë për ta ndalur këtë trajektore. Kur Rusia pushtoi Ukrainën, mbi 140 shtete e dënuan pushtimin si të paligjshëm, duke mbrojtur rendin ndërkombëtar. Por sot, vetëm pak shtete kanë guxuar t’i kundërvihen Trump-it.
Nëse bota dështon të veprojë së bashku për të ruajtur ndalimin e përdorimit të forcës – themelin e rendit ligjor pas Luftës së Dytë Botërore - viktimat do të jenë në një numër shumë herë më të lartë./ Përshtati "Pamfleti" nga “New York Times”
Shënim: Oona A.Hathaway, profesoreshë e drejtësisë dhe shkencave politike në Universitetin e Jeilit, SHBA.
Lini një Përgjigje