
Kërkimi i Donald Trumpit për sfera ndikimi është i pamatur dhe vetëshkatërrues. Fuqitë e mëdha, kanë synuar historikisht të kenë peshë rajonale, por lëvizjet e tij ndaj Venezuelës dhe Grenlandës rrezikojnë të prodhojnë gjithçka tjetër, përveç stabilitetit…
Sferat e ndikimit lindin nga vetë natyra e shteteve dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Çdo shtet përpiqet të sigurojë interesat e tij duke ushtruar ndikim mbi fqinjët; sa më i fuqishëm shteti, aq më i madh është ndikimi që kërkon.
Por mënyrat e ndjekjes së këtij ndikimi ndryshojnë: nga moderimi tek teprimi, nga humanizmi tek mizoria, nga presioni i heshtur tek frikësimi i hapur, nga mençuria tek marrëzia. Politikat e administratës Trump në Hemisferën Perëndimore, po tregojnë shenja shqetësuese se po anojnë drejt skajit më të rrezikshëm të këtij spektri.
Doktrina Monroe, e shpallur dy shekuj më parë si themel i politikës së jashtme amerikane, ka ndryshuar shumë. Fillimisht, ajo synonte vetëm të pengonte Spanjën të rikthente sundimin mbi ish-kolonitë e saj, apo Britaninë dhe Francën të merrnin kontrollin mbi to.
Gjatë Luftës së Ftohtë, kjo u shndërrua në një përpjekje për të ndaluar shtetet e Amerikës Latine të bashkoheshin me aleanca armiqësore; dhe kur kjo ndodhte, si në rastin e Kubës, Uashingtoni reagonte me sanksione dhe përmbysje regjimesh.
Ky precedent e bën kontradiktore retorikën e NATO-s dhe Evropës për Ukrainën, sipas së cilës “çdo vend ka të drejtë të zgjedhë aleancat e veta”. Në praktikë, kjo logjikë nuk funksionon: Vietnami nuk mund të bashkohet me një aleancë amerikane kundër Kinës, as Bangladeshi në një aleancë kineze kundër Indisë.
Siç u shpreh një zyrtar kazak: “Çdo kazak i arsyeshëm ka një hartë në mendje. Ajo tregon Rusinë, Kinën dhe Kazakistanin në mes. SHBA-ja nuk është në atë hartë”. Qëllimi i SHBA-së për të penguar praninë ushtarake të fuqive të huaja në Amerikë është ndjekur nga administrata republikane dhe demokratike.
Rezultati shpesh ka qenë shtypje dhe vuajtje për popujt e rajonit, por strategjia ka arritur të mbajë larg rivalët ushtarakë. Sot, asnjë qeveri në Amerikën Latine nuk guxon të ftojë rusët apo kinezët për të ngritur baza ushtarake, sepse e di sa e ashpër do të ishte kundërpërgjigjja amerikane.
Megjithatë, ky argument është shpesh përdorur si pretekst për interesa të tjera. Shembulli më i tmerrshëm është grushti i shtetit në Guatemalë më 1954, i nxitur nga “United Fruit Company” dhe administrata Ajzenhauer, për të bllokuar një reformë agrare.
Pasojat ishin tragjike: dhjetëra mijëra indigjenë Maja u masakruan nga regjimi ushtarak i mbështetur nga SHBA, në atë që sot do të quhej gjenocid. Paralelja me dëshirën e Trump që kompanitë amerikane të kontrollojnë naftën e Venezuelës është shumë e qartë.
Sot, një “aleancë” e shpikur midis Venezuelës dhe Kinës po përdoret si justifikim për përmbysjen e regjimit venezuelian. Po kështu, armiqësia e lobit kubano-amerikan ndaj Kubës nuk lidhet me ndonjë kërcënim real, por me urrejtje dhe ambicie të trashëguara. Trump ka deklaruar se SHBA do të “drejtojë Venezuelën”, por nuk ka shkuar deri te pushtimi i drejtpërdrejtë. Synimi duket të jetë frikësimi i regjimit të Maduros për t’u nënshtruar, sidomos në çështjen e kontrollit mbi naftën.
Kjo shërben jo vetëm për përfitim ekonomik, por edhe si mjet presioni ndaj Rusisë dhe Kinës. Ndërprerja e furnizimit me naftë për Kubën, mund të përdoret për ta detyruar atë të dorëzohet, duke hapur rrugë rikthimit të pronave të humbura nga emigrantët kubanë pas revolucionit.
Por çfarë ndodh kur regjimet klienteliste kërcënohen që të shemben? SHBA-ja është përballur me këtë dilemë në Vietnam, Iran, Afganistan, dhe Bashkimi Sovjetik në Hungari e Çekosllovaki. Zgjedhja mes tërheqjes dhe dërgimit të trupave shpesh ka sjellë pasoja katastrofike.
Trump dhe ekipi i tij shkojnë përtej “Pasojës Ruzvelt” të vitit 1904, e cila, pavarësisht arrogancës, deklaronte se SHBA nuk kishte “uri për tokë”. Sot, Trump ka shprehur hapur dëshirën për të aneksuar Grenlandën dhe madje Kanadanë, dy demokraci të suksesshme dhe aleate të ngushta të SHBA-së.
Kryeministrja daneze paralajmëroi se një veprim i tillë do të “i jepte fund NATO-s”. Po ashtu, aneksimi rus i Krimesë shkatërroi ndikimin e Moskës në Ukrainë, ndërsa pretendimet e Kinës në Detin e Kinës Jugore i shtynë fqinjët drejt Uashingtonit. Trump rrezikon të bëjë të njëjtën gjë, duke i shtyrë drejt Kinës fqinjët e Amerikës.
Ndikimi ekonomik i SHBA-së në Amerikën Latine është zvogëluar ndjeshëm. Dikur partneri kryesor tregtar, sot është zëvendësuar nga Kina, e cila ka rritur rolin e saj edhe në Amerikën Qendrore. Kjo u jep vendeve mundësi të rezistojnë ndaj presionit amerikan, dhe çdo përpjekje për t’i shkëputur nga Kina mund të sjellë një reagim të ashpër.
Së fundi është çështja e tonit diplomatik. Rusia ka humbur ndikim për shkak të arrogancës së zyrtarëve të saj, por edhe ata do ta kishin të vështirë të barazoheshin me tonin e vrazhdë të Stephen Miller mbi Grenlandën. Miller e sheh veten si një imperialist të stilit të vjetër./ Përshtati "Pamfleti" nga “Responsible Statecraft”
Shënim: Anatol Lieven është drejtor i Programit të Euroazisë në Institutin Kuinsi dhe ish-profesor në Universitetin Xhorxhtaun.
Lini një Përgjigje