Kryeministri britanik Keir Starmer ka përsëritur qartë se Mbretëria e Bashkuar nuk do të përfshihet në luftën mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, duke synuar të qetësojë shqetësimet publike.
“Qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar janë të shqetësuar se vendi do të përfshihet në luftën SHBA-Izrael me Iranin. Kjo nuk do të ndodhë”, tha ai.
Me këtë deklaratë, Starmer dha një mesazh të drejtpërdrejtë: Britania nuk do të hyjë në këtë konflikt. Ai theksoi se qeveria po fokusohet te stabiliteti dhe bashkëpunimi me aleatët, pa u përfshirë ushtarakisht.
Në të njëjtën kohë, ai nënvizoi se Londra nuk po qëndron pasive. Sipas tij, Mbretëria e Bashkuar ka ndihmuar në krijimin e një grupi prej 35 vendesh për të garantuar sigurinë e lundrimit në Gjirin Persik.
Kjo do të thotë mbrojtje konkrete për anijet tregtare dhe për transportin e energjisë në një nga zonat më të ndjeshme të botës për tregtinë globale. Në praktikë, Britania po kontribuon në terren për të mbajtur të hapura rrugët detare dhe për të ulur rreziqet, pa hyrë në luftë.
Ky qëndrim shihet edhe si një përgjigje e tërthortë ndaj kritikave të fundit nga Uashingtoni, duke treguar se Londra është në gjendje të veprojë dhe të marrë përgjegjësi në mënyrën e saj.
Deklarata e Starmer vjen një ditë pas reagimit të ashpër të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Mbretërisë së Bashkuar.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, reagoi ashpër dje në rrjetin e tij social “Truth Social”, duke kritikuar aleatët.
Në postimin e parë, Trump iu drejtua drejtpërdrejt Mbretërisë së Bashkuar, duke e kritikuar për refuzimin për t’iu bashkuar një operacioni ushtarak kundër Iranit.
Ai vijoi më tej me tone edhe më të ashpra, duke theksuar se roli tradicional i SHBA-ve si mbështetës i aleatëve po ndryshon.
Trump paralajmëroi vendet që përballen me mungesë karburanti, të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe të mësojnë si të luftojnë për veten e tyre dhe të shkojnë ta marrin vetë naftën.
Sipas tij, këto vende duhet “të gjejnë guximin që u mungon” dhe të ndërmarrin vetë veprime, duke shtuar se SHBA nuk do të jetë më e gatshme të ofrojë mbështetje si më parë.
“Të gjitha ato vende që nuk mund të furnizohen me karburant për avionë për shkak të Ngushticës së Hormuzit, si Mbretëria e Bashkuar, e cila refuzoi të përfshihej në prerjen e kokës së Iranit, kam një sugjerim për ju: Së pari, blini nga SHBA-ja, kemi me bollëk, dhe së dyti, mblidhni pak guxim të vonuar, shkoni në Ngushticë dhe MERRNI. Do të duhet të filloni të mësoni se si të luftoni për veten tuaj, SHBA-ja nuk do të jetë më aty për t’ju ndihmuar, ashtu siç nuk ishit ju aty për ne. Irani, në thelb, është shkatërruar plotësisht. Pjesa e vështirë është bërë. Shkoni merrni naftën tuaj!”, shkruan Trump.
Eshte per te ardhur shume keq qe nje cun mami hiqet si i forte e gangster.