TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Gusht 2024, 22:28

“Shtrigat e Bucha-s”/ Kush janë njësitë e grave që ruajnë qiejt e Ukrainës nga dronët dhe raketat ruse?

Shkruar nga Pamfleti

“Shtrigat e Bucha-s”/ Kush janë njësitë e grave

Qyteti ukrainas Bucha, që u shndërrua në simbol të krimeve ruse të luftës pasi forcat pushtuese masakruan qindra civilë atje në fillim të vitit 2022, është sot baza e një forme rezistence unike. Komuniteti Territorial Vullnetar i krijuar së fundmi, nisi të rekrutojë në toga të lëvizshme të gjitha gratë të njohura si “Shtrigat” dhe “Valkirie”. Gazetarët e gazetës ukrainase “Ukrainska Pravda” biseduan me disa nga këto gra mbi vendimin e tyre për të rrëmbyer armët, dhe si është të mbrosh qiellin e Ukrainës nga dronët dhe raketat ruse.

Olena

Me origjinë nga Lvivi, Olena u transferua në Kiev vitin e kaluar ku filloi të punojë si mjeke e përgjithshme në një klinikë në Bucha. Në qershor të këtij viti, ndërsa po kthehej nga festimi i ditëlindjes së saj të 26-të në Odesa me shoqen e saj Anhelina, ajo hasi në një postim në Instagram që rekrutonte vullnetarë për Formimin e Komunitetit Territorial të Bucha-s.

Si ajo ashtu edhe Anhelina vendosën të regjistroheshin në grupin e quajtur “Shtrigat”. Olena kishte kohë që dëshironte t’i bashkohej ushtrisë. Familja e saj ka një traditë të gjatë në ushtri. Stërgjyshi i saj kishte shërbyer në Organizatën e Nacionalistëve Ukrainas, dhe stërgjyshja e saj ishte një ndërlidhëse për ta. Kumbari i saj nisi ta çonte në poligon kur ajo ishte vetëm 5-vjeç.

“Shtrigat e Bucha-s”/ Kush janë njësitë e grave

“Në qendrën stërvitore, më lanë të qëlloja me një mitraloz Broëning. Kam goditur 11 objektiva ajrore me 25 fishekë. Një saktësia e madhe, dhe me një përdorim të pakët të municioneve. Ndaj komandanti tha “'Ti do të kesh një mitraloz!’”- kujton ajo. Olena thotë se synon që të garantojë sigurinë e njerëzve, në mënyrë që ata të flenë të qetë. “Ëndrra ime është që lufta të përfundojë dhe të gjithë të kthehen nga fronti dhe robëria”- përfundon ajo.

Valentina

Valentina, veterinere me profesion, u bllokua për shkak të pushtimit rus në shtëpinë e saj në rajonin e Kievit në shkurt 2022. Ajo ishte dëshmitare e bombardimeve mbi aeroportin Hostomel dhe granatimeve të rënda në Irpin dhe Bucha. Pas 3 javësh, arriti të arratisej me 7 persona të tjerë, që të gjithë të ngjeshur në një makinë.

Dy muaj më parë, iu bashkua grupit “Bucha Valkyries”. “Vendi im është këtu. Kjo luftë nuk do të përfundojë pa ne. Është koha të mos rrimë ulur në shtëpi. Edhe ne mund të marrim armët dhe të mbrojmë tokën tonë, komunitetin tonë. Burrat shkojnë në front, dhe ne i zëvendësojmë ata këtu. Dhe po e shohim se jemi të afta ta bëjmë këtë”- thotë me bindje Valentina.

Anhelina

Me origjinë nga Lutsk, Anhelina punonte si anesteziste në Bucha. Gjatë pushtimit rus, ajo kuroi shumë civilë të plagosur në sallën e saj të operacionit, përfshirë fëmijë. Kur u hap një “korridor i gjelbër”, ajo u evakuua me pacientët e saj. Në njësinë vullnetare të mbrojtjes territoriale, ajo drejton sot një kamionçinë që e quan “Broomstick”.

“Shtrigat e Bucha-s”/ Kush janë njësitë e grave

Fillimisht hasi vështirësi, pasi nuk kishte përvojë të mëparshme ushtarake. Partneri i saj doli vullnetar për këmbësorinë ukrainase që në fillimin e pushtimit rus në shkallë të plotë. “Ai shqetësohet shumë për mua, por më mbështet. Më shkruan:Ki kujdes. Kur të mbarojë një alarm, mos harro të më njoftosh që je mirë. Ai nuk u përpoq në asnjë rast të më ndalonte të shërbeja në ushtri. Sepse e di që të dy po ndihmojmë për të njëjtën kauzë”- thotë Anhelina. “Sa herë që rrëzojmë një dron Shahed, kjo më gëzon dhe motivon, pasi ai dron nuk do të godasë shtëpinë e dikujt”- shton ajo.

 Julia

Julia punonte në një sallon bukurie në Kiev. Ditën e katërt të pushtimit rus, ajo u largua në Poloni me fëmijën e saj. Por 3 muaj më vonë u rikthye. “Doja shumë të kthehesha në shtëpi. Tani, nuk mund t’ia shpjegoj dot as vetes pse u largova. Ishte një vendim spontan, ndoshta i nxitur nga emocionet. Doja të mbroja shëndetin mendor të fëmijës tim, por psikologjikisht atje ishte shumë më keq sesa në shtëpi”- thotë ajo.

Pasi u rikthye, Julia iu bashkua njësisë vullnetare. Tani ajo komandon grupin “Valkyrie”. “Unë jam gjithmonë në lëvizje. Kur vendosa t’i bashkohem ushtrisë, familja dhe miqtë e mi nuk u befasuan sepse më njohin mirë”- u tha ajo gazetarëve.

“Shtrigat e Bucha-s”/ Kush janë njësitë e grave

Julia e pranon se jeta civile është më sfiduese se ajo ushtarake, pasi je e rrethuar nga njerëz që nuk e ndiejnë ndikimin e luftës. “Djemtë shkojnë në front dhe ne qëndrojmë këtu, duke mbrojtur qiellin, fëmijët tanë dhe civilët pas nesh. E çfarë mund të jetë më motivuese se kaq?”-thotë ajo.

* * *

Në prill të këtij viti, shumë nga burrat nga Formacioni i Komunitetit Territorial Vullnetar Bucha u drejtuan për në vijën e parë të frontit, duke lënë rreth 70 pozicione bosh. Dy nga “shtrigat” kanë nënshkruar kontratë edhe me Forcat e Armatosura të Ukrainës. Njëra u bë komandante

toge për mbështetjen me zjarr në një batalion sulmi, ndërsa tjetra po stërvitet për të qenë oficere, duke u përgatitur për të komanduar 3 ekuipazhe të sistemit të lëshimit të raketave.

“Kam vënë re se gratë që bashkohen me ne, janë ndonjëherë edhe më të motivuara se sa burrat”- thotë koloneli Andrii Verlatyi, drejtuesi 51-vjeçar i shtabit të njësisë speciale të Bucha-s.

“Shumë prej tyre ishin nëna dhe kujdestare përpara luftës. Më pas erdhën ata bastardë dhe ua shkatërruan jetën. Zgjuan tek ato një forcë që ishte më mirë të lihej e paprekur. Dashtë Zoti rusët nuk rikthehen! Nuk do të ishte mirë për ta, pasi gratë ukrainase janë më të egra se burrat!”- thekson ai. /Përshtati “Pamfleti” nga “Meduza”

Lini një Përgjigje