TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Gusht 2024, 14:23

Marrëveshja Rusi-Ukrainë për shkëmbimin e të burgosurve, 230 rusë mbërrijnë në Bjellorusi

Shkruar nga Pamfleti

Marrëveshja Rusi-Ukrainë për shkëmbimin e të

Rusia dhe Ukraina njoftuan sot se kanë shkëmbyer 230 të burgosur lufte, duke përfshirë ushtarë rusë të kapur gjatë ofensivës ukrainase në rajonin e Kurskut.

“Pas një procesi negocimi, 115 ushtarë rusë të kapur në rajonin e Kurskut u larguan nga territoret e kontrolluara nga regjimi i Kievit. Në këmbim, 115 të burgosur të forcave të armatosura ukrainase u liruan”, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes.

Ministria sqaroi se ushtarët rusë tashmë ndodhen në Bjellorusi.

“Sot 115 të tjerë mbrojtës tanë janë kthyer në shtëpitë e tyre”, konfirmoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe që kanë vepruar si ndërmjetës për të arritur këtë marrëveshje.

Ky shkëmbim i të burgosurve, si shumë të mëparshëm, u arrit falë ndërmjetësimit të Emirateve, të cilat thanë se janë “një ndërmjetës i besueshëm në mbështetje të diplomacisë për zgjidhjen e krizës mes dy vendeve”.

Ministria e Punëve të Jashtme të Emirateve u zotua “të vazhdojë çdo përpjekje dhe çdo iniciativë që synon gjetjen e një zgjidhjeje paqësore”, duke e konsideruar “de-përshkallëzimin” si “mjetin e vetëm për të zgjidhur konfliktin” midis Rusisë dhe Ukrainës.

Lini një Përgjigje