
A do të përsëritet historia? Dhe a është e mundur që vetë demokracia, të ndihmojë në krijimin e një përbindëshi nga i cili ajo ka shumë frikë?
Një i njohur yni, emri i të cilit është i parëndësishëm për këtë histori, na tregoi një herë për këtë lojë tavoline. Ai është një gjerman që punon për një kompani izraelite, dhe kolegët i propozuan një mbrëmje të luanin lojën “Hitleri i Fshehtë”, qëllimi i së cilës është identifikimi i Adolf Hitlerit dhe vrasja e tij para se të bëhet kancelar i Gjermanisë.
Është shumë më qesharake nga sa duket, i thanë kolegët. Por ai refuzoi. Një gjerman të luajë lojën “Hitleri i Fshehtë”? Iu duk një ide e keqe. Vështirë se dikush e njeh këtë lojë në Gjermani, dhe kjo nuk duhet të jetë e habitshme. Sepse tingëllon shumë toksik, si një karma e keqe.
Loja zhvillohet në vitin 1932, në Rajhstagun (parlamentin) e Berlinit. Lojtarët janë të ndarë në dy grupe: fashistët kundër demokratëve. Demokratët janë në shumicë, por fashistët kanë një avantazh vendimtar: ata e dinë se cilët janë fashistët e tjerë, gjë që pasqyron edhe realitetin historik.
Pra demokratët nuk e dinë se ndonjë nga lojtarët e tjerë mund të jetë një mik ose një armik. Fashistët e fitojnë lojën nëse janë në gjendje të miratojnë 6 ligje në Reichstag, apo nëse Hitleri zgjidhet si kancelar. Që demokratët të fitojnë, ata duhet të miratojnë 5 ligje ose të zbulojnë kush është Hitleri dhe ta “vrasin” atë.
Kjo lojë doli zyrtarisht në treg në vitin 2016, pak para se Donald Trump të zgjidhej president në Shtetet e Bashkuara. Autorët e lojës, disa të rinj demokratë, morën 1.5 milionë dollarë financim nga platforma “Kickstarter”. Synimi i tyre ishte nxitja e mosbesimit tek procesi politik, duke analizuar frymën e kohës:krizën e euros, aneksimi i Krimesë nga Rusia, Brexit apo kriza e refugjatëve.
Debati publik në atë kohë u fokusua tek kriza e demokracisë, kërcënimi nga tendencat e të djathtës ekstreme dhe autoritarizmi. Rikthimi në fashizëm është një frikë me rrënjë të thella në shoqëritë moderne demokratike. Por ndërsa për një kohë të gjatë ai dukej i pamundur dhe i paimagjinueshëm, tani ka filluar të duket si një kërcënim serioz.
Ambiciet perandorake të Vladimir Putin në Rusi. Nacionalizmi hindu i Narendra Modi në Indi. Fitorja e Giorgia Melonit në Itali. Strategjia e Marine Le Pen për normalizimin e ekstremizmit të djathtë në Francë. Fitorja e Javier Mileit në Argjentinë. Dominimi autokratik i Hungarisë nga Viktor Orbán.
Rikthimi në pushtet në Austri i partisë së ekstremit të djathtë, i Geert Wilders në Holandë dhe rritja e AfD në Gjermani. Pastaj ekziston mundësia e një administrate të dytë Trump, me frikën se ai mund të shkojë edhe më larg se sa gjatë të parit. Dhe pastaj janë sulmet ndaj qendrave të emigrantëve në Britani. Protestat neo-naziste në Bautzen. Pandemia. Lufta në Ukrainë. Inflacioni.
A do të përsëritet historia? A janë të dobishme analogjitë historike? Çfarë shkoi keq? Dhe a është e mundur që vetë demokracia, të ndihmojë në krijimin e një përbindëshi nga i cili ajo ka shumë frikë? Në maj 2016, Donald Trump fitoi zgjedhjet paraprake brenda Partisë Republikane, dhe bota ishte e shqetësuar kur historiani Robert Kagan botoi një artikull në “Washington Post” me titullin “Ja si po mbërrin fashizmi në Amerikë”.
Ai ishte ndër të parët në SHBA që e cilësoi Trumpin fashist, dhe tërhoqi vëmendje të madhe në mbarë botën. Tani sapo ka botuar librin e tij të nëntë me titull “Rebelimi:Si anti-liberalizmi po e copëton sërish Amerikën”, ku përshkruan nacionalizmin e krishterë dhe të bardhë në Amerikë si një sfidë për demokracinë liberale.
Dhe sipas tij, këtë herë situata mund të jetë edhe më keq. “Nëse Trump fiton zgjedhjet, sistemi i vjetër do të shkatërrohet. Ai do të përdorë Departamentin e Drejtësisë për t’u hakmarrë ndaj armiqve të tij dhe burgosë qindra mijëra emigrantë të paligjshëm. Kundërshtarët e cilësojnë Kaganin si “intelektualin më të rrezikshëm në Amerikë”.
Por nëse ai është konservator, atëherë Jason Stanley, profesor i filozofisë në Universitetin Yale, është një i majtë liberal. Gjithsesi pikëpamjet e tij janë të ngjashme me ato të Kagan. Gjashtë vjet më parë, Stanley botoi librin “Si funksionon fashizmi:Politika e ne kundër atyre”. Fashizmi i ditëve moderne, shkruan ai, është një kult i udhëheqësit, në të cilin ai premton rilindjen e një vendi të poshtëruar.
Regjimet fashiste, argumenton më tej Stanley, nisin si lëvizje dhe parti sociale dhe politike, dhe ato priren të zgjidhen që të përmbysin qeveritë ekzistuese. Ai flet për 10 tipare kryesore të tij. Së pari çdo vend ka mitet e veta, narrativën e vet për një të kaluar të lavdishme. Por versioni fashist i një miti kombëtar, kërkon madhështinë dhe fuqi ushtarake.
Së dyti, propaganda fashiste i portretizon kundërshtarët politikë si një kërcënim për ekzistencën dhe traditat e vendit. Së treti, udhëheqësi përcakton se çfarë është e vërtetë dhe çfarë e gabuar. Shkenca dhe realiteti shihen si sfida për autoritetin e liderit, dhe pikëpamjet alternative si kërcënim.
Së katërti, fashizmi gënjen. Së pesti, ai është i varur nga hierarkitë, të cilat tregojnë gënjeshtrën e tij më të madhe, racizmin. Së gjashti, ata që besojnë tek hierarkia dhe epërsia e tyre, nervozohen dhe frikësohen nga humbja e pozicionit të tyre në të. Fashizmi i shpall ndjekësit e tij si viktima të barazisë. Të krishterët gjermanë janë viktima të hebrenjve, amerikanët e bardhë viktima të të drejtave të barabarta për zezakët etj.
Së shtati, fashizmi siguron ligjin dhe rendin dhe atë e përcakton udhëheqësi. Po ashtu, ai përcakton se kush e shkel ligjin dhe rendin, kush ka të drejta dhe nga kujt mund t’i hiqen ato. Së teti, fashizmi ka frikë nga diversiteti gjinor. Së nënti, fashizmi priret t’i urrejë qytetet, pasi i sheh ato si vende të dekadencës dhe shtëpi e elitës, emigrantëve dhe kriminalitetit.
Dhe së fundmi, fashizmi beson se puna do t’iu bëjë të lirë. Sipas kësaj teze, pakicat dhe të majtët janë në thelb dembelë. Nëse përmbushet këto 10 kritere të Stanley, atëherë situata është shumë e rrezikshme. Fashizmi në SHBA, ka një traditë të vjetër. Ku Klux Klan, ishte lëvizja e parë fashiste në histori, dhe sipas studiuesit kjo traditë nuk është zhdukur, përkundrazi ekziston ende në shtetet jugore të SHBA-së.
Timothy Snyder, profesor i historisë së Evropës Lindore, është një nga intelektualët më të rëndësishëm në SHBA. Ai ka shkruar disa libra mbi Hitlerin dhe Stalinin. Snyder beson se presidenti rus po kryen në Ukrainë një luftë që është qartësisht e motivuar nga motive fashiste. Sipas tij kjo shihet edhe tek simboli Z, tubimet, propaganda, varrezat masive.
Putin e sulmoi Ukrainën ashtu siç Hitleri sulmoi Bashkimin Sovjetik, si një fuqi perandorake. Por versioni i fashizmit i Putinit, argumenton historiani, ka edhe tipare post-moderne. Post-modernizmi supozon se në këtë botë nuk ka të vërteta absolute. Vendimi se çfarë është e vërtetë dhe kush e përcakton atë merret në fushën e betejës.
Ndaj sipas Snyder, fitorja e Putinit do të sillte shumë me tepër sesa vetëm fundin e Ukrainës demokratike. “Nëse Ukraina nuk fiton, mund të na presin dekada errësirë”- paralajmëron ai. Ndërkohë nëse Trump fiton zgjedhjet në nëntor, Snyder beson se do të ketë një rezistencë të organizuar kundër mandati të tij të dytë. A do të përdorte Trump FBI-në apo edhe ushtrinë për të shuar trazira të tilla? Ç’mund të ndodhë me institucionet shtetërore? Snyder beson se ekonomia amerikane do të shembet, dhe institucionet si FBI dhe ushtria mund të copëtohen nga konfliktet.
Por si u bë e mundur ngritja e Trumpit? Si ka mundësi që një demokraci të zhytet kaq thellë në absurditet?
Së pari, thotë Snyder, karriera e Trump bazohet mbi një bllof. Ai nuk ka qenë asnjëherë ndonjë biznesmen i suksesshëm, dhe e gjeti suksesin vetëm si një figurë televizive. Ai e di se çfarë duhet për t’u pëlqyer njerëzve, dhe ky është një parakusht i rëndësishëm për një udhëheqës karizmatik në zhvillim.
Së dyti, mediat sociale ndikojnë tek aftësitë tona perceptuese. Në fakt tek to ka diçka fashiste, pasi na heqin aftësinë për të shkëmbyer argumente në mënyrë kuptimplote. Na bëjnë më të padurueshëm, dhe kështu gjithçka bëhet e zezë ose e bardhë. Ato prodhojnë një cikël zemërimi. Zemërimi konfirmon zemërimin. Dhe zemërimi prodhon zemërim të mëtejshëm.
Së treti, marksistët e viteve 1920-1930 thotë Snyder, besonin se fashizmi ishte thjesht një variant i kapitalizmit, se ishin oligarkët, ata që mundësuan ngjitjen në krye të Hitlerit. Por kjo nuk është e vërtetë, argumenton Snyder. Biznesi i madh, e mbështeti në fillim Hitlerin sepse donte që ai t’i çlironte nga sindikatat. Por shumica e oligarkëve nuk i mbështetën idetë e tij.
Sot një nga këta oligarkë të rinj, thekson Snyder, është Elon Musk. Askush nuk ka bërë më shumë se ai në një vit e gjysmë për të çuar përpara fashizmin. Qëkur bleu Tëitter-in, sot X, platforma është bërë edhe më emocionale, më e hapur ndaj çdo lloj fëlliqësie, sidomos ndaj propagandës ruse.
Musk e, përdor atë për të përhapur teoritë më të neveritshme të konspiracionit. Ashtu si Robert Kagan, edhe Snyder gjithashtu beson se demokracitë e kanë nënvlerësuar rrezikun e paraqitur nga fashizmi, sepse besuan për një kohë të gjatë se nuk ka alternativë ndaj demokracisë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Der Spiegel”
Lini një Përgjigje