TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Qershor 2026, 22:21

Peter Magyar në Berlin: Do ta rikthejmë vendin në zemër të Evropës

Shkruar nga Pamfleti
Peter Magyar në Berlin: Do ta rikthejmë vendin në zemër
Magyar-Merz

Peter Magyar premtoi se Hungaria do të jetë një partner i besueshëm në BE, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz kërkoi më shumë bashkëpunim për Ukrainën.

Kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar, deklaroi sot në Berlin se synon të rikthejë vendin e tij si një partner të besueshëm dhe konstruktiv brenda Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit të tij të parë zyrtar me kancelarin gjerman Friedrich Merz, lideri gjerman premtoi mbështetje të plotë për përpjekjet e Budapestit për t’u rikthyer, siç u shpreh ai, “në zemër të Evropës”.

Merz e cilësoi fitoren zgjedhore të Magyar ndaj Viktor Orbánit si “një frymëzim për të gjithë Evropën” dhe “një mesazh të qartë kundër populizmit në mbarë botën”.

Kancelari gjerman theksoi se dëshiron të ndihmojë që “fillimi i ri i Hungarisë të jetë i suksesshëm”, por njëkohësisht i kërkoi qeverisë së re hungareze të mbështesë politikën e përbashkët të BE-së ndaj Ukrainës, duke ndjekur një kurs të ndryshëm nga ai i paraardhësit të saj.

Nga ana e tij, Peter Magyar u zotua se Hungaria do të jetë një “partner i ndershëm dhe i besueshëm” brenda Bashkimit Evropian.

Natyrisht nuk do të jemi gjithmonë dakord për çdo çështje, por nuk do të vendosim veto vetëm për arsye parimore”, deklaroi ai.

Megjithatë, Magyar sqaroi se Hungaria do të vazhdojë të kundërshtojë dërgimin e armëve ose trupave në Ukrainë. Ai shtoi gjithashtu se Budapesti do të bllokojë hapjen e negociatave të anëtarësimit të Ukrainës në BE për sa kohë që, sipas tij, të drejtat e pakicës hungareze në Ukrainë mbeten të kufizuara.

Pres që së shpejti të arrihet një marrëveshje për këtë çështje. Jemi të gatshëm të hapim një faqe të re në marrëdhëniet Hungari-Ukrainë”, tha kryeministri hungarez.

Merz u përgjigj se çështjet dypalëshe duhet të zgjidhen, por nuk duhet të pengojnë procesin e integrimit evropian të Ukrainës.

Sulm ndaj presidentit të Hungarisë

Gjatë vizitës në Berlin, Magyar kritikoi ashpër presidentin hungarez Tamás Sulyok, duke e cilësuar atë “marionetë të Viktor Orbánit”.

Sipas kryeministrit, presidenti nuk ka përmbushur detyrimet e tij kushtetuese gjatë dy viteve të fundit.

Ai qëndroi pasiv ndërsa Orbáni po e shiste atdheun tonë dhe po e shndërronte Hungarinë në shtetin më të korruptuar të Bashkimit Evropian”, deklaroi Magyar.

Kryeministri hungarez paralajmëroi gjithashtu se synon të largojë sa më shpejt nga postet kyçe zyrtarët e afërt me Orbánin, duke shfrytëzuar mbështetjen e fortë që ka marrë pas fitores në zgjedhje.

Madje, ai kishte kërkuar që presidenti Sulyok të largohej nga detyra deri më 31 maj, duke paralajmëruar se në të kundërt mund të ndërmerren ndryshime kushtetuese për shkarkimin e tij.

magyar merz

Lini një Përgjigje