TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Qershor 2026, 21:45

"Ç'dreqin po bën, do përfundosh në burg”/ Telefonata, si Trump "shpërtheu" ndaj Netanyahut pas sulmeve në Liban

Shkruar nga Pamfleti
"Ç'dreqin po bën, do përfundosh në burg”/
Trump & Netanyahu

Përplasje e paprecedentë Trump-Netanyahu: Të gjithë e urrejnë Izraelin për shkakun tënd

Një përplasje e ashpër mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu raportohet se ka ndodhur pas zgjerimit të operacioneve ushtarake izraelite në Liban, zhvillim që sipas Uashingtonit rrezikon negociatat me Iranin.

Sipas gazetarit izraelit Barak Ravid të portalit amerikan Axios, i cili citon dy zyrtarë amerikanë dhe një burim të tretë të informuar, Trump i ka folur Netanyahut me tone jashtëzakonisht të ashpra gjatë një telefonate private.

Sipas raportimit, presidenti amerikan e akuzoi kryeministrin izraelit për mungesë mirënjohjeje dhe për faktin se po e çon Izraelin drejt izolimit ndërkombëtar.

Je krejtësisht jashtë kontrollit. Po të mos isha unë, do të ishe në burg. Po të shpëtoj lëkurën. Tani të gjithë të urrejnë. Të gjithë e urrejnë Izraelin për shkak të kësaj historie”, citohet t’i ketë thënë Trump Netanyahut.

Një burim tjetër i tha Axios se Trump ishte “i tërbuar” dhe në një moment i bërtiti kryeministrit izraelit: “Çfarë dreqin po bën?”.

Sipas burimeve të medias amerikane, zemërimi i Trumpit lidhet me mënyrën se si Izraeli po zhvillon operacionet në Liban. Edhe pse presidenti amerikan mbështet goditjet ndaj Hezbollahut, ai vlerëson se zgjerimi i ofensivës, sulmet në Bejrut dhe numri i lartë i viktimave civile po minojnë përpjekjet diplomatike të SHBA-së me Iranin.

Një nga burimet e Axios tha se Trump ishte veçanërisht i shqetësuar për vrasjen e civilëve dhe kundërshtonte shembjen e ndërtesave të tëra për të eliminuar një komandant të vetëm të Hezbollahut.

Kriza u thellua pasi Irani njoftoi pezullimin e negociatave me SHBA-në, duke argumentuar se ofensiva izraelite në Liban ishte bërë pengesë për arritjen e një armëpushimi.

Megjithatë, disa orë më vonë Trump dha një version shumë më diplomatik të bisedës. Në platformën e tij Truth Social ai e cilësoi telefonatën me Netanyahun si “shumë produktive” dhe deklaroi se nuk do të ketë trupa izraelite që do të hyjnë në Bejrut.

Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se kishte zhvilluar një “telefonatë shumë të mirë” me Hezbollahun dhe se grupi shiit kishte pranuar të ndalte çdo shkëmbim zjarri. Sipas tij, edhe bisedimet me Iranin po vazhdojnë me ritëm të shpejtë.

CNN raportoi më vonë, duke cituar burime rajonale, se negociatat mes SHBA-së dhe Iranit janë rikthyer në rrugën e duhur, pavarësisht njoftimit të mëparshëm të Teheranit për pezullimin e tyre.

Ndërkohë, Netanyahu publikisht ka deklaruar se nuk ka ndryshuar qëndrim dhe se Izraeli do të vazhdojë të godasë Hezbollahun nëse grupi sulmon veriun e vendit. Megjithatë, sipas Axios, kryeministri izraelit doli i dobësuar nga telefonata me Trumpin dhe në fund iu përgjigj presidentit amerikan me fjalët: “Në rregull, në rregull, vetëm sigurohu që gjithçka të zgjidhet”.

Sipas analistëve, tensionet mes Trumpit dhe Netanyahut pasqyrojnë dallime më të thella strategjike. Trump kërkon stabilitet në Lindjen e Mesme për të avancuar marrëdhëniet ekonomike me vendet arabe dhe për të çuar përpara negociatat me Iranin, ndërsa Netanyahu mbetet i fokusuar te lufta kundër Hezbollahut dhe aleatëve të Teheranit. /Pamfleti

trump netanyahu

1 Komente

  1. T
    Tony

    Ta pyesje mire mendjen kur beje gili-vili e krushqi me Izraelin o tiger prej letre.

    Lini një Përgjigje