TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Prill 2026, 19:38

Kriza e Hormuzit mbush arkat e tregtarëve të naftës

Shkruar nga Alessandro Lubello
Kriza e Hormuzit mbush arkat e tregtarëve të naftës
Një rafineri nafte në El Segundo, USA /

Lufta në Iran ka tronditur tregjet energjetike, duke krijuar fitime rekord për ndërmjetësit globalë, ndërsa çmimet e larta dhe mungesat po rëndojnë ekonomitë dhe konsumatorët në mbarë botën...

Grupet kryesore botërore që tregtojnë naftë të papërpunuar, po arrijnë fitime të mëdha falë kaosit të shkaktuar në tregjet energjetike nga lufta në Iran. “Është ende herët për të thënë nëse viti 2026 do t’i sjellë sektorit më shumë para sesa ato të fituara midis 2022 dhe 2023,” pas pushtimit rus të Ukrainës, por disa operatorë po regjistrojnë fitimet më të larta të katër viteve të fundit”, shkruan Bloomberg. Dhe situata nuk pritet të përmirësohet në afat të shkurtër: në një intervistë për të përditshmen franceze “Le Figaro”, Faith Birol, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), deklaroi se kriza aktuale është “më e rëndë se ato të viteve 1973, 1979 dhe 2022”.

Fitimet përqendrohen kryesisht në Zvicër, ku kanë selinë ndërmjetësit më të rëndësishëm të tregtisë së naftës dhe lëndëve të tjera të para. Vitol, lideri i tregut, ka deklaruar se sipas një vlerësimi paraprak, në tremujorin e parë të vitit 2026 pritet të regjistrojë dy miliardë dollarë fitime. Midis tetorit 2025 dhe marsit të këtij viti, Trafigura ka arritur dy tremujorët më fitimprurës në historinë e saj, edhe falë çmimeve të bakrit dhe arit. Gunvor (e themeluar në vitin 2003 nga Gennadij Timčenko, një besnik i presidentit rus Vladimir Putin) ka fituar më shumë në tremujorin e parë të 2026 sesa gjatë gjithë vitit 2025, ndërsa kapitali i Mercuria Energy këtë vit pritet të arrijë një kthim rekord midis 25 dhe 50 për qind, me fitime që mund të arrijnë në 3.2 miliardë dollarë.

Këto fitime vijnë si pasojë e rritjeve të mëdha të çmimeve të shkaktuara nga mbyllja e ngushticës së Hormuzit, e cila ka nxitur një garë të furishme për të siguruar ngarkesat e pakta të naftës në dispozicion. Më 9 prill, Energy Information Administration e qeverisë amerikane parashikonte një rënie të furnizimit me rreth nëntë milionë fuçi në ditë: kjo do të thotë se deri në mesin e prillit, tregu kishte përthithur tashmë 314 milionë fuçi, pra 80 për qind të rezervave emergjente të shpallura nga IEA menjëherë pas fillimit të konfliktit. Sipas The Economist, më 21 prill “fuçitë e humbura” kishin arritur tashmë në 550 milionë.

Pikërisht për këtë arsye, kush dëshiron të sigurojë menjëherë naftë duhet të pranojë çmime marramendëse: ky është rasti i Sri Lankës, ku këtë muaj një fuçi kushtonte 286 dollarë, përfshirë transportin dhe sigurimin; “çmimi më i lartë që kam parë ndonjëherë dhe që shpresoj të mos e shoh më”, komentoi Georges Elhedery, drejtor ekzekutiv i bankës britanike HSBC. “Një menaxher që kërkoi të mbetet anonim”, shkruan Bloomberg, “ka treguar se kompania e tij fitonte deri në 20–30 dollarë për çdo fuçi të dorëzuar, një marzh i madh nëse mendohet se ky treg zakonisht siguron një fitim maksimal prej një dollari për fuçi”.

Fitimet e mëdha të tregtarëve të naftës kanë filluar të shqetësojnë disa në Zvicër. Siç tregon “Le Monde”, të parët janë vetë operatorët, të shqetësuar se paratë e tyre tërheqin kriminelët. Për shembull në Gjenevë, ku “SuisseNégoce”, shoqata e tregtarëve të lëndëve të para, është e shqetësuar për rastet e fundit të vjedhjeve me thyerje në banesa që autoritetet nuk kanë arritur t’i parandalojnë. Organizata i ka bërë thirrje kantonit të investojë burimet e nevojshme për të frenuar kriminalitetin; përndryshe kompanitë e mëdha mund të tundohen të zhvendosen diku tjetër, si në Londër ose Singapor”.

Megjithatë, ka edhe faktorë të tjerë që shqetësojnë drejtuesit. Disa politikanë zviceranë mendojnë se këto kompani duhet të taksohen më shumë. Raphawl Mahaim, deputet federal i të Gjelbërve, thekson se “duhet ndërhyrë menjëherë, sepse fitimet nga nafta janë pasojë e një konflikti që do të ndikojë në koston e jetesës në Zvicër. Të ardhurat shtesë fiskale mund të përdoren për të financuar shpenzimet publike dhe për të zbutur efektet sociale të rritjes së çmimeve”.

Mahaim denoncon gjithashtu “mungesën e rregullimit dhe transparencës, që mund të lehtësojë operacione të paqarta. Ekziston një mendim mjaft i përhapur se ky sektor do të jetë skandali i ardhshëm i madh ndërkombëtar që do të godasë Zvicrën, siç ndodhi në të kaluarën me “sekretin bankar”. Sipas OJQ-së Public Eye, vëllimi i tregtisë së orkestruar në vend ka arritur në 90 miliardë franga zvicerane në vit, rreth 10 për qind e PBB-së kombëtare. Por “në rast praktikash mashtruese, gjobat janë të papërfillshme: maksimumi pesë milionë franga. Sanksionet janë shumë më të rënda në Mbretërinë e Bashkuar ose në Shtetet e Bashkuara”.

Në fakt, tregtarët e lëndëve të para kanë zgjedhur Zvicrën pikërisht për kombinimin e lehtësimeve fiskale, stabilitetit politik dhe ligjeve relativisht liberale. Ekziston frika se rregulla më të rrepta mund t’i detyrojnë të largohen. Të gjithë kujtojnë se “pas vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, në pranverën e vitit 2022, tregtarët e naftës ruse u zhvendosën në Dubai, nga ku menaxhojnë ‘flotën fantazmë’ famëkeqe të Kremlinit. Në vitin 2010, Gjeneva kontrollonte deri në 80 për qind të eksporteve të naftës ruse”.

Në qytetin e pasur Rolle, në brigjet e liqenit të Gjenevës, shkruan Le Monde, po rritet numri i menaxherëve të huaj që lëvizin me makina luksoze me zhurmë. “Një këshilltar komunal komentoi, mes humorit dhe pakënaqësisë: Nuk mund të themi se i adhurojmë këta njerëz. Por edhe pse paguajnë më pak taksa, janë pikërisht taksat e tyre që do të financojnë çerdhen e re”./Pamfleti nga "Internazionale"

kriza e hormuzit tregtarët e naftës

Lini një Përgjigje