Mungesa e përparimit konkret dhe paqartësitë në udhëheqjen iraniane bllokojnë një raund të ri negociatash
Vendimi i papritur i Presidentit amerikan Donald Trump për të anuluar udhëtimin e delegacionit të tij në Pakistan, vetëm një ditë pasi ishte shpallur, sinjalizon se kushtet e vendosura nga SHBA për rifillimin e negociatave me Iranin nuk janë përmbushur.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Uashingtoni kishte kërkuar dy elementë kyç nga Teherani në 14 ditët pas përfundimit pa marrëveshje të raundit të fundit të negociatave: një propozim që adreson “vijat e kuqe” të Trump për programin bërthamor dhe një qartësi më të madhe mbi strukturën e vendimmarrjes në Iran.
Një ditë më parë, dukej se kishte shenja lëvizjeje. “Kemi parë njëfarë përparimi nga pala iraniane në ditët e fundit”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Megjithatë, ky përparim rezultoi i pamjaftueshëm. Trump vendosi të anulojë udhëtimin rreth një orë pasi ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, u largua nga Islamabadi, ku kishte informuar zyrtarët pakistanezë për propozimin më të fundit të Iranit.
Vetë Trump sugjeroi se vendimi lidhej edhe me një vlerësim praktik të situatës. Ai vuri në peshore kohëzgjatjen e gjatë të udhëtimit, rreth 18 orë, me mundësinë e ulët për një përparim real në negociata.
Zyrtarët amerikanë mbeten të shqetësuar se ndarjet mes krahëve të moderuar dhe atyre më të ashpër brenda regjimit iranian po pengojnë arritjen e një qëndrimi të unifikuar negociues.
“Ka përplasje dhe konfuzion të madh brenda ‘udhëheqjes’ së tyre. “Askush nuk e di kush është në krye, përfshirë edhe vetë ata”, shkroi Trump në platformën Truth Social.
Në këto kushte, SHBA dhe Irani mbeten pa një marrëveshje dhe pa sinjale të qarta për përparim drejt saj. Trump këmbëngul se përgjegjësia bie mbi Iranin. “Ne kemi të gjitha kartat, ata nuk kanë asnjë”, deklaroi ai.
Megjithatë, pavarësisht këtij qëndrimi, mbetet e paqartë se si mund të përfundojë konflikti dhe si mund të rihapet Ngushtica e Hormuzit pa një marrëveshje mes palëve.
Lini një Përgjigje