Ngërçi ushtarak dhe diplomatik në Gjirin Persik po mban peng stabilitetin global dhe tregjet e energjisë. Ndërsa Trump tenton të imponojë dorëzimin e Teheranit përmes bllokadës detare, regjimi iranian mbetet i palëkundur duke shfrytëzuar kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit. Vetëm një diplomaci serioze dhe braktisja e pozicioneve maksimaliste mund të shmangin një krizë të përhershme ekonomike dhe politike.
Tetë javë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën operacionet kundër Iranit, konflikti ka hyrë në një ngërç të rrezikshëm. Presidenti amerikan Donald Trump e shtyu këtë javë armëpushimin - kohëzgjatja e të cilit mbetet e paqartë - por lufta e hapur është zëvendësuar tashmë nga një diplomaci agresive e presionit ushtarak detar.
Pasi mijëra sulme ajrore amerikane dhe izraelite dështuan në imponimin e Iranit për t’u dorëzuar, presidenti po tenton të gjunjëzojë Republikën Islamike përmes një bllokade detare të porteve të saj.
Megjithatë, Teherani nuk po zmbrapset. Ai po mban nën një kontroll të rreptë Ngushticën e Hormuzit, duke zgjatur kështu krizën globale të energjisë. Trump ka deklaruar se bllokada nuk do të hiqet pa një marrëveshje paraprake.
Nga ana tjetër, regjimi iranian këmbëngul se nuk do të ketë negociata dhe as rihapje të ngushticës për sa kohë që vazhdon rrethimi ekonomik. Kjo përplasje ka bllokuar edhe përpjekjet për një raund të dytë bisedimesh në Islamabad.
Trump gjendet aktualisht në një pozitë të vështirë. Ndonëse ushtria më e fuqishme në botë dhe Izraeli e kanë goditur rëndë kundërshtarin, Teherani refuzon kapitullimin, duke besuar se ka avantazh strategjik duke mbajtur “peng” tregjet e energjisë.
Çmimet e naftës dhe gazit janë rritur me mbi 40 për qind ndërsa janë ndërprerë ndjeshëm furnizimet globale me lëndë bazë. Regjimi iranian, i gatshëm të sakrifikojë mirëqenien e popullsisë për mbijetesën e tij politike, llogarit se mund të përballojë më shumë presion sesa Uashingtoni.
Edhe pse të dyja palët po paguajnë një çmim të lartë dhe aspirojnë fundin e luftës, secila kërkon të shpallë fitoren për të ruajtur imazhin. Javën e kaluar u shfaq një shkëndijë shprese kur Trump i bëri presion Izraelit të ndalte ofensivën kundër Hezbollahut në Liban. Irani u kundërpërgjigj me gatishmërinë për të hapur ngushticën. Por kur SHBA-ja e mbajti në fuqi bllokadën dhe Trump pretendoi se Irani ishte dorëzuar plotësisht, Teherani u tërhoq duke i cilësuar deklaratat si qesharake.
Dështimi për të kuptuar psikologjinë e kundërshtarit, po e bën gjithnjë e më të vështirë arritjen e objektivave. Për një zgjidhje të qëndrueshme nevojiten negociata serioze teknike dhe jo deklarata impulsive në rrjetet sociale.
Sot Irani udhëhiqet nga fraksionet më radikale të regjimit dhe mosbesimi është në kulm, veçanërisht pasi vendi është sulmuar teksa ishte në proces bisedimesh. Sa më shumë që Trump kërkon nënshtrim, aq më shumë dobësohen zërat e moderuar në Teheran që mund të mbështesnin një kompromis.
Një armëpushim i zgjatur nën bllokadë, mund ta largojë luftën nga titujt kryesorë të mediave, por do të vazhdojë të rrënojë ekonominë globale dhe të mbajë në ankth aleatët e Gjirit. Në këto kushte rrugëdalja e vetme mbetet një marrëveshje kuadër që nis me lehtësimin e bllokadës dhe rihapjen e ngushticës, e pasuar nga një moratorium afatgjatë mbi pasurimin e uraniumit dhe transferimin e rezervave në një vend të tretë nën një mbikëqyrje të rreptë.
Gjithsesi ironia do të mbetej e madhe: një marrëveshje e tillë, nuk do të ndryshonte shumë nga ajo e vitit 2015, nga e cila Trump u tërhoq gjatë mandatit të tij të parë, në vitin 2018. Dhe pas një lufte të kushtueshme, ai gjendet sërish në të njëjtën pikë. Zgjidhja e konfliktit kërkon mbi të gjitha, artin e kompromisit./ Përshtati "Pamfleti" nga “Financial Times”
Lini një Përgjigje