
A do t’i kujtojmë një ditë zgjedhjet e 5 nëntorit 2024, si sfidën “e vendosur nga një Kennedy”? Nga forca e mbiemrit, hijeshia e një familjeje. Robert Kennedy Jr nuk do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara. Por ai mund të jetë përcaktues i fituesit.
Pra jo një mbret, por një “mbret-bërës”, i aftë të diktojë fituesin. Që nga Ross Perot në vitin 1992, një kandidat i pavarur nuk ka pasur kaq shumë rëndësi në zgjedhjet presidenciale. 32 vjet më parë, miliarderi Perot, me një program proteksionist, që i ngjante shumë asaj të Donald Trump sot, i hoqi jo pak vota republikanit të moshuar George Bush, duke i garantuar fitoren demokratit Bill Clinton.
Në sondazhe ai merr midis 10 dhe 15 për qind të votave, një shifër domethënëse duke pasur parasysh traditën bipolare të vendit. Në fakt, ai donte të kandidonte për t’u emëruar kandidat nga Partia Demokratike, partia e familjes së tij dhe për një kohë të gjatë edhe të tijës.
Pasi vuajti dhe denoncoi bojkotin nga figurat më të njohura demokrate, ai vendosi të garojë si i pavarur. Demokratët i frikësohen atij më shumë se republikanëve, ndaj po i shumëfishojnë sfidat ligjore për të penguar shfaqjen e emrit të tij në fletëvotimet e nëntorit. Edhe pse kandidatura e tij ekziston vetëm në një numër të vogël shtetesh, ato mund të mjaftojnë për të bërë diferencën.
Pra ta shndërruar në një “mbret-bërës”, duke zhvendosur votat vendimtare në një sfidë midis dy kandidatëve më të papëlqyer nga publiku në historinë e Amerikës. Ndër absurditetet dhe paradokset e këtyre zgjedhjeve shtojmë edhe këto:në moshën 70-vjeçare Roberti Kennedy është një “djalosh”, krahasuar me dy të tjerët.
Dhe pavarësisht nga pasuria e tij familjare, ai duket të jetë kandidati kundër parisë së SHBA-së. Pasardhës i dinastisë politike më të famshme dhe me histori më tragjike në Amerikë, Robert Jr. ka një jetë plot fatkeqësi. I treti nga 11 fëmijët e Robert Kennedy plakut, ai ishte 9-vjeç kur u vra në Dallas më 22 nëntor 1963 xhaxhai i tij John Kendedy.
Ndërkohë ishte 14-vjeç kur babai i tij pati të njëjtin fat në Los Anxhelos. Më 6 qershor 1968, Robert Jr., ishte dëshmitar i afërt i vdekjes së babait të tij. Avioni i zëvendëspresidentit e transportoi me urgjencë në spital, teksa adoleshenti pa spazmat e fundit të agonisë së njeriut që dukej se do të pasonte të vëllain në Shtëpinë e Bardhë.
Një politikan, që u bë legjendë jo vetëm për fundin e tij të tmerrshëm. Në kohën e tij, Robert Kennedy konsiderohej si pinjolli më intelektual dhe më radikal i familjes Kennedy. Në administratën e vëllait të tij, ai u shqua si Ministër i Drejtësisë, tejet i përkushtuar në luftën kundër mafies.
Në vitin 1968, donte t’i jepte sa më shpejt fund luftës së Vietnamit. Edhe sot e majta anti-kapitaliste citon fjalimin e tij të famshëm që denonconte “diktaturën e PBB-së”. Trashëgimia e një babai të tillë, ka qenë prej kohësh një barrë e padurueshme për djalin që mban emrin e tij.
Traumat e viteve 1960, i nxitën atij paranoja konspirative, të cilat nuk do ta braktisnin asnjëherë. Kështu, ai mbështeti gjithmonë tezën se CIA-s pati një rol në vrasjen e xhaxhait, dhe më pas babait të tij. Kur ishte i ri u bë i varur nga droga, u përjashtua nga disa shkolla dhe u arrestua disa herë nga policia.
Doli nga ky tuneli i errët vetëm në vitin 1983. Por dëmi nuk mbaroi me aq. Gruaja e tij e dytë, ashtu si ai e varur nga droga, vrau veten. Bashkëshortja e tretë dhe aktuale, aktorja Cheryl Hines, e shoqëron në fazën e pjekurisë të kurorëzuar me sukses.
Robert Jr. është një avokat i specializuar në çështjet mjedisore, themelues i OJQ-ve të njohura si Waterkeeper Alliance. Të Gjelbrit Amerikanë e respektojnë, ndërsa në fitoret e tij përfshihen çështje të shumta gjyqësore kundër kompanive të dënuara për ndotjen e lumenjve.
Kundërshtimi i tij i fortë ndaj Big Pharma (kompanive të mëdha farmaceutike), tipike e të majtës ekstreme, frymëzoi disa nga pretendimet e tij më të diskutueshme. Në vitin 2005 ai mbështeti lidhjen midis vaksinimeve dhe autizmit, një lidhje e hedhur poshtë nga shkenca. Gjatë pandemisë së Covid-19, ishte pjesë e kampit të kundërshtarëve të vaksinimit dhe po ashtu u shqua për sulmet e ashpra ndaj mjekut të njohur Anthony Fauci. Vladimir Putin, por edhe e djathta izolacioniste, i pëlqen ato që ai thotë për Ukrainën.
Robert Kennedy Jr. e akuzon Biden se i ka gënjyer amerikanët, se ka nxitur një luftë më prokurë “për të realizuar planin e madh strategjik:shkatërrimin e çdo kombi, që ashtu si Rusia i reziston zgjerimit perandorak të Amerikës”. Ai ndan me të majtën radikale anti-kapitalizmin, ambientalizmin ekstrem dhe pacifizmin.
Megjithatë, qasja në politikën e jashtme e bën atë konkurrues me Trump. Një nga sloganet e tij është “të ndalim tani luftërat tona të pafundme”. Nëse zgjidhet president, premton përgjysmimin brenda 4 vitesh të buxhetit të mbrojtjes së SHBA-së.
Ndërsa në Ukrainë do t’i propozonte menjëherë Putinit një “zgjidhje diplomatike”, kushtet e së cilës duken në fakt më të paqarta dhe më jorealiste se ato të Trump:”tërheqja e trupave ruse nga Ukraina dhe garantim i lirisë dhe pavarësisë për Kievin”.
Në një fushë tjetër, Robert Jr thotë gjëra që i pëlqejnë lideri Xi Jinping:ai nuk parashikon një ndërhyrje ushtarake amerikane në mbrojtje të Tajvanit, në rastin e një pushtimi kinez. Së fundi, ai është “trumpian”, por edhe i aftë për të tërhequr votuesit e majtë pro-izraelitë kur flet për Gazën:premton mbështetje totale për Izraelin.
Ai ka pozicione që nuk respektojnë anë apo ideologji. Një tjetër rast emblematik është emigracioni. Ai premton të “vulosë” kufirin jugor me Meksikën, për të bllokuar fluksin e emigrantëve të paligjshëm; dhe në të njëjtën kohë synon ta bëjë më të lehtë emigracionin e ligjshëm.
Slogani i tij i preferuar është “mure të larta, porta të gjera”. Ka thënë disa herë se do të vazhdojë ndërtimin e murit në kufi me Meksikën të nisur nga Trump (dhe pjesërisht të vazhduar nga Biden), duke shtuar investimin tek teknologjitë e mbikëqyrjes për të parandaluar hyrjen e paligjshme.
Zhargoni hiper-ambientalist i Robert Jr. i tërheq shumë të rinjtë e Gjeneratës Z. Por edhe këtu ai e komprometon reputacionin me teza të tjera konspirative. Ai akuzon lëvizjen mjedisore për “gabime të mëdha taktike” në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Sipas tij, axhenda e gjelbër dominohet nga interesat e fuqishme kapitaliste, nga ata që prodhojnë makinat elektrike apo shfrytëzojnë energjinë diellore dhe teknologjitë e tjera jo-karbonike. Sipas tij tranzicioni drejt një ekonomie me zero emetime ndotëse në atmosferë, po “përdoret për të vendosur kontrolle totalitare mbi ne, për ta shtresëzuar shoqërinë, me synim favorizimin e të pasurve, ushtrisë dhe shërbimeve sekrete”.
Dhe këtu rishfaqet prirja e tij për teori konspirative. Sipas tij, ambientalizmi po manipulohet nga elita kapitaliste që takohet rregullisht në Davos dhe nga multi-miliarderi Bill Gates. Një narrativë shumë e ngjashme me atë që ai përdori kundër vaksinave dhe masave të tjera shëndetësore të marra gjatë pandemisë.
Në po këto hulli, ai e sheh edhe çështjen e demokracisë amerikane. Sipas tij, liritë themelore janë në rrezik, po kërcënimi më i madh vjen nga struktura demokratike. Kennedy ka mbështetur në mënyrë të përsëritur një tezë identike me të djathtën, pra që gjyqet kundër Trump janë një komplot i magjistratëve të krahut të majtë për të dëmtuar një kandidat.
Kennedy është në një linjë me shumë republikanë, kur përshkruan një Amerikë nën kontrollin e censurës politike, të imponuar nga Shtëpia e Bardhë në emër të luftës kundër “lajmeve të rreme”. “Biden është deri më sot kërcënimi më i madh për demokracinë tonë”- ka deklaruar ai.
Nuk është për t’u habitur që i gjithë klani Kennedy doli në media për të hedhur poshtë deklaratat e Robert Jr. dhe për t’u distancuar prej tij. Biden ka rekrutuar shumë - motrat dhe kushërirat - pinjollë të familjes së tij, për t’u paraqitur në aktivitetet e fushatës me synim garantimin e bazës së mbështetësve./Përshtati Pamfleti nga “Corriere della Sera”
Lini një Përgjigje