Ai duhet të tregojë se është në gjendje të drejtojë me guxim si komandant i përgjithshëm, ose duhet të largohet. Nëse qëndron, atëherë ai ka nevojë për një plan fitues. Në të kundërt, Biden duhet të japë dorëheqjen dhe ta lërë dikë tjetër të udhëheqë NATO-n dhe luftën kundër Rusisë në Ukrainë...
Sulmet ajrore të Rusisë gjatë mbrëmjes të së hënën ndaj objektivave civile në mbarë Ukrainën, ishin një kujtesë e vrazhdë se ajo e kreut të Shtëpisë së Bardhë, nuk është një punë që nis në orën 10 të mëngjesit dhe vazhdon deri në orën 4 të pasdites.
Dhjetëra fëmijë të vegjël, mjekë dhe infermierë u vranë ose u plagosën nga një sulm i qëllimshëm raketor rus në Spitalin e Fëmijëve Okhmadyt në Kiev. Një raketë lundruese Kh-101 goditi spitalin, me gjasë e lëshuar nga një avion bombardues Tupolev Tu-95.
Ky i fundit u ngrit nga një aerodrom në Rusi që ndodhet përtej rrezes prej 100 km që administrata Biden ka vendosur si kusht ndaj zyrtarëve ukrainas, duke u thënë atyre se nuk mund të godasin më tej në Rusi. Skenat ishin të tmerrshme. Fëmijë të përgjakur. Salla operative të shkatërruara.
Pacientët me kancer të trullosur nga shpërthimi, dhe të lidhur ende me pajisjet e reanimacionit që dërgoheshin në një vend më të sigurt. Këtë sulm të neveritshëm e shkaktoi sigurisht ligësia e madhe e presidentit rus Vladimir Putin. Ndërsa një president i përhumbur si i ai i SHBA-së Joe Biden dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare që refuzon shtimin e ndihmës për Kievin nga frika e përshkallëzimin të luftës, i udhëhequr nga Jake Sullivan, ndihmuan në krijimin e kushteve që lejuan ndodhjen e këtij sulmi.
Administrata Biden po e inkurajon Putinin në një mënyrë të pamatur që të fitojë strategjikisht në Uashington dhe Bruksel, atë që ai nuk mund ta fitojë dot në fushat e betejës në Ukrainën Lindore dhe në Krime. Udhëheqësit e NATO-s që për 3 ditë do të takohen dhe diskutojnë në Uashington, duhet ta ndryshojnë këtë ekuacion vetë-shkatërrues, me ose pa Biden.
Ka ardhur koha për një qasje fituese. Në maj, ne i bëmë thirrje Shtëpisë së Bardhë të bënte disa ndryshime në strategji, duke përfshirë krijimin e një zone të ndalim-fluturimi dhe dhënien e lejes për përdorimin e armëve amerikane kundër objektivave ushtarake ruse kudo që ato të organizojnë ose nisin sulme kinetike kundër Ukrainës.
Politika mbrojtëse e Shtëpisë së Bardhë - vetëm rrëzimi i raketave të caktuara - ka dështuar sërish. Problemi me platformat e armëve është që nëse nuk shkatërrohen, ato vazhdojnë të lëshojnë raketa. Dhe zgjerimi në rritje mbi kufizimet e rrezes së armëve për t’iu kundërpërgjigjur Rusisë, po çon vetëm në rishpërndarjen e sistemeve të armëve, përmes të cilave Biden vazhdon t’i garantojë mbrojtje forcave ruse.
Tragjikisht, Biden dështoi të krijonte një zonë të ndalim-fluturimit për të mbrojtur civilët ukrainas. Sipas një vlerësimi nga Instituti për Studimin e Luftës, edhe vendimi i tij pas shumë ngurrimesh për të lejuar përdorimin e sistemit amerikan ATACMS brenda Rusisë, është i kufizuar në mënyrë absurde në goditjen e vetëm 16 për qind të forcave ruse që e kërcënojnë Ukrainën përgjatë kufijve të saj.
Asnjë nga këto hapa nuk do të mjaftojë për ta frenuar Putinin. Sidomos pasi një zyrtar i Departamentit të Shtetit deklaroi javën e kaluar se presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky do t’i thuhet se Ukraina është ende “shumë e korruptuar” për t’iu bashkuar NATO-s.
Vërtet? Në fakt, raportet e Departamentit të Mbrojtjes dhe të Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Shtetit mbi korrupsionin në Ukrainë, sugjerojnë të kundërtën. A nuk ishte i njëjti Biden që në mars 2022, tha me guxim dhe me të drejtë për Putinin:“Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet!”.
Tani, Biden dhe administrata e tij po manovrojnë për t’ia dhënë fitoren Putinit në Ukrainë, dhe këtë e bëjnë nën maskën e “shmangies së përshkallëzimit”. Biden kishte të drejtë më parë. Putini është shumë i lig, dhe Ukrainës duhet t’i jepet mbrojtja që buron nga anëtarësimi në NATO.
S’ka asgjë të re rreth armatosjes së qëllimshme të Putinit për civilët dhe mjedisin. Dhe as në lidhje me vrasjet dhe fushatat e keqinformimit për të arritur qëllimet e tij të luftës kundër Perëndimit dhe Ukrainës. Ne jemi përtej ndryshimit të lojës.
Ka ardhur koha që Biden të punojë së bashku me anëtarët e NATO-s në samitin e Uashingtonit, për të nisur thyerjen me vendosmëri të “shpinës” së Putinit në Ukrainë, duke ia shkatërruar kapacitetin dhe vullnetin e tij për të vazhduar luftën.
Hapi i parë dhe më i dukshëm, është të pohohet se Ukraina do të bëhet në mënyrë të pashmangshme një anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Kjo gjë duhet të jetë e panegociueshme. Putin duhet ta kuptojë se s’do të jetë në gjendje të ndikojë mbi ecurinë e zhvillimeve të ardhshme.
Nën dritën e këtyre sulmeve, NATO duhet të dalë me një deklaratë që përcakton qartë rrugën e përshpejtuar të Ukrainës drejt anëtarësimit të plotë, dhe të mohojë çdo pretendim të Shtëpisë së Bardhë se Kievi është shumë i korruptuar.
Së dyti, NATO duhet të anulojë të gjitha rregullat farsë të angazhimit, të cilat i pengojnë forcat ukrainase të godasin aq thellë sa kërkohet në brendësi të Rusisë për të fituar luftën dhe për të reduktuar sulmet e qëllimshme ruse ndaj civilëve.
Po ashtu, kjo do të thotë që Ukraina duhet të marrë plotësisht atë që i duhet për të fituar në fushën e betejës tani, duke i dhënë mundësi forcave të saj të zhvillojnë një luftë të përbashkët dhe të kombinuar në gadishullin e Krimesë. Biden e ka ditur që nga gushti i vitit të kaluar se cilat janë nevojat e Ukrainës.
Ai u ankua me të drejtë kur Kongresi ia vonoi financimin. Gjithsesi, ai u miratua më në fund në prill të këtij viti. Por 3 muaj më vonë, Kievi ende nuk ka marrë pjesën më të madhe të asaj që ishte premtuar. Siç vuri në dukje presidenti Zelensky vetëm ditë më parë, 14 brigadave ukrainase u mungojnë aktualisht pajisjet bazë.
“Dërgimet e ngadalta” të ndihmave nga partnerët e NATO-s, po e pengojnë Ukrainën të ndërmarrë operacione kundërofensive. Dhe kjo ngre pyetjen legjitime, nëse Biden po e menaxhon apo jo luftën. Nëse përgjigja është po, atëherë tani është koha që Biden të tregohet i guximshëm.
Përveç atyre sa përmendëm më sipër, ai duhet të njoftojë në samitin e NATO-s në Uashington, se SHBA-ja do të udhëheqë një koalicion të madh në krah të Ukrainës dhe do të krijojnë një zonë të menjëhershme të ndalim-fluturimit me shumë shtresa në Ukrainën Perëndimore.
Putin synonte që bombardimi i spitalit të fëmijëve Okhmadyt të ishte një mesazh për NATO-n. Përshkallëzimi i tij i ri i sulmeve ndaj civilëve ukrainas, synon të dobësojë vendosmërinë e NATO-s për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës. Ndaj ai duhet të ketë efektin e kundërt.
Brenda NATO-s apo Uashingtonit, nuk duhet të ketë më paralizë veprimi për shkak të krizës nga përshkallëzimi. Mos pretendoni sikur Rusia nuk është armiku ynë. Ka ardhur koha që përshkallëzimit të Moskës t’i kundërpërgjigjemi me përshkallëzim. Biden është në një pikë kthese në raport me Ukrainën.
Lufta është një ndërmarrje që vazhdon për 24 orë të ditë-natës dhe në 7 ditë të javës. Prandaj ajo kërkon që një president të jetë i aftë mendërisht dhe fizikisht. Ai duhet të tregojë se është në gjendje të drejtojë me guxim si komandant i përgjithshëm, ose duhet të largohet. Nëse qëndron, atëherë ai ka nevojë për një plan fitues. Në të kundërt, Biden duhet të japë dorëheqjen dhe ta lërë dikë tjetër të udhëheqë NATO-n dhe luftën kundër Rusisë në Ukrainë.
Shënim: Mark Toth, ekspert për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së. Koloneli në pension Jonathan Sweet, ka shërbyer 30 vjet si oficer i inteligjencës ushtarake të SHBA-së./Përshtati Pamfleti nga “The Hill”
Lini një Përgjigje