Rusia nënshkroi sot një marrëveshje me Kazakistanin për ndërtimin e centralit të parë bërthamor në vendin më të madh të Azisë Qendrore. Kazakistani, vendi me prodhimin më të madh të uraniumit në botë dhe që ka vuajtur pasojat e testeve bërthamore sovjetike, diskuton mundësinë e përdorimit të energjisë atomike prej të paktën dy dekadash.
“Marrëveshja që u nënshkrua sot për ndërtimin e centralit bërthamor në Balkhash ka një rëndësi të veçantë”, deklaroi presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, gjatë një takimi me presidentin rus Vladimir Putin në Astana. “Dëshiroj t’ju falënderoj për mbështetjen tuaj në hartimin e këtij projekti të madh”, tha Tokayev.
Rusia dhe Kazakistani nënshkruan një marrëveshje ndërqeveritare dhe një kontratë paraprake që do të përcaktojë afatet dhe çmimin për centralin e parë bërthamor të vendit, atë të Balkhashit. Dy palët nënshkruan gjithashtu një marrëveshje për sigurimin e një kredie eksporti ruse për financimin e ndërtimit të centralit.
Në një referendum të zhvilluar në vitin 2024, qytetarët e Kazakistanit votuan në favor të ndërtimit të një centrali bërthamor dhe caktuan si vendndodhje fshatin Ulken, në brigjet e liqenit Balkhash, në pjesën juglindore të vendit. Agjencia e energjisë bërthamore e Kazakistanit deklaroi muajin e kaluar se Rusia do t’i japë vendit një hua që mbulon rreth 85% të kostos prej 15 miliardë dollarësh të centralit bërthamor, i cili do të ketë dy reaktorë.
Kompania shtetërore ruse e energjisë bërthamore, Rosatom, deklaroi se mund të zhvillojë bisedime për pjesëmarrjen e saj në projektin për ndërtimin e një centrali të dytë bërthamor në Kazakistan. Kjo u bë e ditur të mërkurën nga drejtori i Rosatom, Alexei Likhachev.
“Ende nuk jemi informuar zyrtarisht për vendimin e palës kazake lidhur me centralin e dytë, qoftë për konfigurimin apo vendndodhjen e tij. Sapo të marrim këto informacione zyrtare, ndoshta brenda ditëve në vijim, do të kalojmë menjëherë në negociata konkrete”, deklaroi Likhachev.
Duke folur për projektin e Balkhashit, Likhachev tha se Kazakistani kishte zhvilluar bisedime me kompani nga Koreja e Jugut, Kina dhe Franca për një pjesëmarrje të mundshme, duke shtuar se Rosatom nuk kishte kundërshtime.
Megjithatë, projektimi teknik i centralit, specifikimet dhe furnizimi me pajisjet kryesore të inxhinierisë së rëndë do të realizohen përfundimisht nga Rosatom, tha ai.
Likhachev deklaroi se Rosatom planifikon të nisë punimet ndërtimore në kantier në vitin 2027 dhe pret që projekti të përfundojë në mesin e viteve 2030.
Lini një Përgjigje