Irani do të vazhdojë të jetë një sfidë për Shtetet e Bashkuara edhe pas përfundimit të mandatit të Donald Trump. Ideologjia revolucionare e vetë Republikës Islamike pengon çdo përparim diplomatik dhe krijon vazhdimisht një cikël përplasjesh, uljeje të përkohshme të tensioneve dhe përshkallëzimi të ri...
Me ose pa marrëveshje, Irani do të mbetet një sfidë për SHBA edhe pas përfundimit të mandatit të Donald Trump, shkruan Brett McGurk, analist i CNN për çështjet globale, i cili ka shërbyer në poste të larta të sigurisë kombëtare nën presidentët George W. Bush, Barack Obama, Donald Trump dhe Joe Biden.
Pak pasi mbërriti për herë të parë në Bagdad në janar të vitit 2004, kujton ai, shërbimet amerikane të inteligjencës interceptuan një letër nga Ayman al-Zawahiri, ndihmësi i Osama bin Ladenit, drejtuar Abu Musab al-Zarqawit, udhëheqësit të Al-Qaedas në Irak. Letra diskutonte përdorimin e dhunës për krijimin e një kalifati islamik, fillimisht në Irak dhe më pas në gjithë Lindjen e Mesme.
“Beteja më e madhe e Islamit në këtë epokë po zhvillohet tani”, shkruante Zawahiri.
SHBA e publikoi letrën, por pak njerëz e morën seriozisht idenë se Al-Qaeda mund të pushtonte dhe qeveriste territore në zemër të botës arabe. Dhjetë vjet më vonë, McGurk u kthye në Bagdad ndërsa pasardhësi i Zarqawit, Abu Bakr al-Baghdadi, pushtonte qytetin e dytë më të madh të Irakut dhe shpallte kalifatin, me miliona njerëz që jetonin nën sundimin e tij. Perëndimi kaloi dekadën pasuese duke e shkatërruar atë strukturë.
Mësimi mbeti i qartë: kur liderët deklarojnë hapur objektiva ideologjikë afatgjatë dhe tregojnë vazhdimisht gatishmëri për të përdorur dhunë për t’i arritur, ato deklarata duhet të merren seriozisht. Sipas McGurk, ky mësim vlen edhe për Iranin.
Presidentë të ndryshëm, e njëjta sfidë
Për gati pesë dekada, presidentët amerikanë të të dy partive e kanë trajtuar Iranin me kombinime të ndryshme diplomacie, sanksionesh, parandalimi ushtarak dhe force. Megjithatë, konflikti mes SHBA dhe Republikës Islamike vazhdon, sepse faktori kryesor që drejton sjelljen e Iranit ka mbetur i pandryshuar: ideologjia revolucionare e regjimit.
Debati në Uashington shpesh përqendrohet te taktikat. Demokratët zakonisht i japin përparësi diplomacisë dhe e konsiderojnë marrëveshjen bërthamore të Barack Obamës me Teheranin në vitin 2015 si mekanizmin më të mirë për të kufizuar ambiciet bërthamore të Iranit dhe për të shmangur luftën. Republikanët, nga ana tjetër, mbështesin politikën e “presionit maksimal” dhe forcimin e parandalimit ushtarak, duke argumentuar se Irani i shfrytëzon marrëveshjet diplomatike ndërsa vazhdon agresionin rajonal.
Sipas McGurk, të dyja qasjet përmbajnë elementë të së vërtetës, por asnjëra nuk shpjegon plotësisht vazhdimësinë e problemit. Vija përcaktuese nuk janë ndryshimet politike në Uashington, por natyra e qëndrueshme e regjimit iranian dhe objektivat e ngulitura në Republikën Islamike që prej vitit 1979.
Ai shton se asnjë marrëveshje që Donald Trump mund të negociojë sot me Iranin, qoftë për hapjen e Ngushticës së Hormuzit apo për kufizime të reja bërthamore, nuk do të ndryshojë një kurs 47-vjeçar.

Ideologjia e Republikës Islamike
Kushtetuta iraniane i jep Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) jo vetëm një rol mbrojtës ushtarak, por edhe atë që e quan “mision ideologjik xhihadi në rrugën e Zotit”. Për dekada, udhëheqja revolucionare iraniane e ka interpretuar këtë mision si zgjerim të ndikimit iranian në Lindjen e Mesme, largim të SHBA nga rajoni dhe mbështetje për lëvizjet e armatosura që synojnë shkatërrimin e Izraelit.
Këto objektiva kanë mbijetuar përtej presidentëve amerikanë dhe iranianë, krizave ekonomike, sanksioneve dhe hapjeve diplomatike. Sipas McGurk, ato shpjegojnë modelin e sulmeve, marrjes së pengjeve, terrorizmit dhe luftës përmes grupeve aleate që ka karakterizuar marrëdhënien e Iranit me SHBA që nga pushtimi i ambasadës amerikane në Teheran në vitin 1979. Ato shpjegojnë gjithashtu investimet e vazhdueshme të Iranit te Hezbollahu, Hamasi, Xhihadi Islamik Palestinez, milicitë irakiane dhe Huthit në Jemen.
IRGC u krijua për të mbrojtur revolucionin brenda vendit dhe për ta eksportuar atë jashtë kufijve. Krahu i saj ushtarak, Forca Quds, kaloi dekada duke ndërtuar rrjete partnerësh të armatosur të aftë për të shtrirë ndikimin iranian përtej kufijve të Iranit.
Herë pas here, politikanët amerikanë shpresonin se zelli revolucionar i Iranit mund të zbutet në këmbim të përfitimeve ekonomike dhe rikthimit në sistemin ndërkombëtar. Kjo ishte pjesë e logjikës strategjike pas marrëveshjes bërthamore të administratës Obama.
Marrëveshja JCPOA vendosi kufizime të rëndësishme mbi programin bërthamor iranian për një periudhë të caktuar dhe, në këtë kuptim, ishte një arritje. Por ajo nuk ndryshoi sjelljen rajonale apo objektivat revolucionare të Iranit. Në disa aspekte, Teherani, i mbushur me burime të reja financiare, u bë edhe më i sigurt në vetvete.
Pak pas nënshkrimit të marrëveshjes, lideri suprem Ali Khamenei hodhi poshtë pretendimet se qëndrimi i Iranit ndaj Izraelit apo SHBA do të zbutet. Ai parashikoi publikisht se Izraeli nuk do të ekzistonte brenda 25 vjetësh dhe premtoi vazhdimin e rezistencës në gjithë rajonin. Sipas McGurk, këto deklarata nuk ishin retorikë boshe, por përputheshin me kursin që Irani ka ndjekur prej dekadash.
Pika e kthesës së 7 tetorit
Sipas analizës, 7 tetori 2023 ishte manifestimi më i qartë deri më sot i kësaj strategjie. Hamasi, i armatosur, financuar dhe mbështetur nga Irani prej vitesh, kreu sulmin më vdekjeprurës në historinë e Izraelit, duke vrarë mbi 1.200 persona dhe duke marrë më shumë se 250 pengje.
Shumica e qeverive në botë i dënuan sulmet, ndërsa udhëheqja iraniane i përshëndeti ato si “rezistencë kundër Izraelit”. Brenda pak ditësh, grupet e mbështetura nga Irani në rajon iu bashkuan konfliktit. Hezbollahu nisi sulme me raketa nga Libani drejt veriut të Izraelit. Milicitë proiraniane në Irak dhe Siri sulmuan vazhdimisht forcat amerikane. Huthit në Jemen filluan të godasin anije tregtare dhe objektiva detare amerikane në Detin e Kuq.
Sipas McGurk, të gjitha këto pasqyrojnë dekada investimesh iraniane në një rrjet të krijuar pikërisht për këtë qëllim: ushtrimin e presionit ndaj Izraelit dhe SHBA në disa fronte njëkohësisht, duke ruajtur një nivel mohimi të përfshirjes direkte.
Më pas, Irani kreu edhe dy sulme të paprecedenta direkte me raketa dhe dronë ndaj Izraelit nga territori iranian, përpara se Izraeli të kundërpërgjigjej me sulme direkte ndaj Iranit.

Kufijtë e strategjisë së Trump
Trump ishte presidenti i parë amerikan që goditi drejtpërdrejt udhëheqjen e lartë ushtarake iraniane dhe më vonë miratoi operacione ushtarake brenda territorit iranian.
Disa prej këtyre veprimeve prodhuan rezultate konkrete taktike. Eliminimi i komandantit të Forcës Quds, Qassem Soleimani, në vitin 2020 ndërpreu operacionet rajonale të Iranit. Sulmet pasuese ndaj infrastrukturës ushtarake dhe objekteve bërthamore iraniane dëmtuan ndjeshëm programet raketore, të dronëve dhe ato bërthamore të Iranit.
Megjithatë, McGurk argumenton se sukseset taktike ushtarake nuk prodhojnë domosdoshmërisht rezultate strategjike. Ngjarjet e muajve të fundit kanë treguar kufijtë e forcës ushtarake kur përballet me një sistem revolucionar të rrënjosur thellë.
Edhe pse i goditur, sistemi iranian duket se është konsoliduar më tej, me figura të linjës së ashpër ideologjike si Ahmad Vahidi që marrin role drejtuese në IRGC.
Sipas autorit, taktikat amerikane, ushtarake, diplomatike apo ekonomike, mund të dobësojnë kapacitetet iraniane, por deri tani kanë dështuar të ndryshojnë drejtimin ideologjik të regjimit.
Fundi ende nuk duket
Edhe mes zërave për një marrëveshje të mundshme, lideri i ri suprem i Iranit ka përsëritur objektivat e paraardhësit të tij: largimin e Amerikës nga Lindja e Mesme dhe eliminimin e shtetit të Izraelit.
“Nga tani e tutje, ‘Vdekje Amerikës’ dhe ‘Vdekje Izraelit’ do të jenë sloganet e përbashkëta të umetit islamik”, shkroi ai këtë javë.
Ai gjithashtu përsëriti zotimin për të parë zhdukjen e Izraelit deri në vitin 2040, një kërcënim që, sipas McGurk, Izraeli nuk ka zgjidhje tjetër veçse ta marrë seriozisht.
Nga ana tjetër, edhe Izraeli pritet të vazhdojë doktrinën e tij më parandaluese të sigurisë pas 7 tetorit, duke vepruar kundër kërcënimeve, qoftë pranë kufijve të tij apo brenda territorit iranian.
SHBA, po ashtu, do të vazhdojë të mbrojë interesat e saj. Vetëm këtë javë, ndërsa Uashingtoni dhe Teherani po negocionin për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, IRGC u identifikua duke vendosur mina të reja në zonë, çka çoi në një tjetër përplasje ushtarake.
McGurk përfundon se ideologjia e Iranit, prirja e Izraelit për të goditur kërcënimet dhe mbrojtja e interesave amerikane do të vazhdojnë të krijojnë tensione të vazhdueshme për Trumpin dhe pasardhësit e tij. Derisa të ndodhë një ndryshim politik në Iran, rajoni do të mbetet i përfshirë në një cikël të përsëritur përplasjesh, uljeje të përkohshme të tensioneve dhe rikthimi të krizave. /Përshtati Pamfleti/
E po nese vazhdoni me kete ide, si dy Ajatollahet e pare, nuk eshte faji i Izraelit dhe as i Trump. Matini forcat burra , mos u qaj,Mojtaba. Kjo eshte kembane alarmi edhe per Europen.